Botë

Në Kostiantinivka të Ukrainës, 16 të vrarë dhe 30 të plagosur nga sulmet ruse

07.09.2023 14:13

Një raketë ruse goditi tregun qendror të qytetit Kostiantinivka në Ukrainën lindore, të mërkurën...

Një raketë ruse goditi tregun qendror të qytetit Kostiantinivka në Ukrainën lindore, të mërkurën. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, të paktën 16 persona duke përfshirë edhe një fëmijë u vranë. Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klimenko, tha se përveç 16 viktimave, të paktën 30 persona të tjerë mbetën të plagosur. Bilanci ishte i rëndë pasi sulmi ndodhi në një zonë mjaft të populluar dhe në një orë kur në rrugë kishte shumë lëvizje. Presidenti Volodymyr Zelenskiy dënoi sulmin mbi civilët.
 
“Ishte një ditë e vështirë. Deri më tani, mbi 30 persona janë plagosur në Kostiantynivka, rajoni Donetsk, pas sulmit nga terroristët rusë. 16 persona janë vrarë, në mesin e tyre ka edhe fëmijë. Këto sulme duhet dënuar. Një treg, dyqane dhe një farmaci janë goditur në qytetin industrial afër fushëbetejës dhe rreth 30 km nga qyteti i Bakhmutit, ku luftimet kanë qenë të ashpra prej muajsh.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.
 
Numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë të plagosur janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
 
"Për fat të keq, numri mund të rritet. Njerëzit kërkojnë ndihmë mjekësore. Ju shikoni që ekipet e shpëtimit dhe policia janë duke punuar këtu tani. Fatkeqësisht, kjo është një situatë tipike për rajonin e Donetskut, kur lufta merr jetën e civilëve. Madje mund të shihni se këtu nuk ka asnjë objekt të vetëm ushtarak. Ju mund ta shihni edhe vetë!”, - theksoi përfaqësuesja e Administratës së rajonit të Doneskut, Tatyana Ignatchenko.
 
Shumë njerëz humbën të dashurit e tyre pas këtyre granatimeve.
 
"Fluturoi vetëm në epiqendër, ku kishte shumë njerëz. Të gjithë  ishin civilë. Në fund të fundit, ky është një treg, njerëzit e zakonshëm po punojnë këtu!", - tha banorja, Natalya.
 
"Më thirrën dhe ja ku jam. Këtu janë gjërat e saj. Uji i saj. Këtu janë syzet e saj. Ja, këto janë syzet e saj. Syzet i ranë nga koka pasi u përplas përtokë.", - tha banorja, Lyubov. 
 
"Më vranë shoqen, që shiste lule atje, gjithashtu, miku im u vra!", - u shpreh banorja, Natalya.
 
Sulmi ndodhi në të njëjtën ditë kur Kievin e vizitoi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU