Maqedoni

Osmani thirrje nga Budapesti: BE-ja ta mbajë premtimin, ne realizuam detyrat

07.09.2023 14:37

Ministri i jashtëm Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Hungari ka prezantuar perspektivën...

Ministri i jashtëm Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Hungari ka prezantuar perspektivën dhe sfidat e brendshme që ndërlidhen me procesin e integrimit evropian, duke i pozicionuar ndryshimet kushtetuese si vendim kryesor që favorizojnë këtë rrugëtim. Osmani ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i mbajë premtimet, derisa potencon se shteti ynë i ka plotësuar kushtet e nevojshme. Homologu hungarez Peter Sijarto ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme të Hungarisë  drejt BE-së.
 
“Shfrytëzoj rastin të përcjell përkrahjen gjithëpërfshirëse të Hungarisë në rrugën tonë evropiane brenda institucioneve evropiane, përmes mekanizmave të ndryshme dhe nga aspekti bilateral me ndihmë teknike. Maqedonia e Veriut gjendet në moment krucial drejt BE-së. Vendimi favorizues lidhur me ndryshimet kushtetuese është rruga drejt BE-së. 2030-ta është targeti ynë dhe afati i arritshëm. Maqedonia tashmë ka plotësuar kushtet për t’u avancuar seriozisht në proces. Në gjashtë muajt e kaluar ngrita iniciativën "Më shumë integrim para anëtarësimit” dhe jam i lumtur që kjo iniciativë dita ditës materializohet. Ne i arritëm rezultatet dhe presim që të mbahen premtimet. Kompletimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor si synim i prezantuar  paraqet top siguri për vet Bashkimin Evropian. BE-ja duhet të ofrojë më shumë sinqeritet mes njëri- tjetrit.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
Në kuadër të vizitës së punës në Budapest, ministri Osmani ka zhvilluar takime dypalëshe me zyrtarë hungarez. Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani ka shpalosur sfidat e kësaj organizate  në drejtim të paqes dhe stabilitetit në kontinentin evropian. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU