Maqedoni
Pacientët dëshmojnë në Prokurori, apelojnë të paraqiten të gjitha dyshimet
07.09.2023 15:15
Rasti me keqpërdorimin e terapisë së pacientëve me kancer ka ngritur dilema të shumta tek familjet dhe pacientët....

Rasti me keqpërdorimin e terapisë së pacientëve me kancer ka ngritur dilema të shumta tek familjet dhe pacientët, të cilët janë prekur nga kjo sëmundje dhe tani duan ta mësojnë të vërtetën. Disa nga pacientët që kanë pasur diagnozë onkologjike janë ftuar për bisedë në Prokurorinë themelore publike. Apelojnë që të gjithë ata që e kanë kaluar këtë sëmundje e që kanë probleme apo dyshime rreth terapisë ta paraqesin në Prokurori. Kërkojnë hetim të shpejtë dhe përgjegjësi, ndërsa nga Prokuroria i kanë bindur se hetimi do të jetë në detaje.
“Prokuroria ka njohuri për terapi të caktuara, ne i potencuam disa dhe ky hetim do të zgjerohet në çdo ilaç të radhës për të cilin dyshojmë se është keqpërdorur.”, - theksoi pacientja e Onkologjisë, Ana Marianovki.
“Apelojmë tek të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni për padrejtësi, dyshime për terapi të gabuar, të kontaktojnë Prokurorinë apo të na kontaktojnë neve, që radhën e ardhshme të jemi në numër më të madh.”, - u shpreh pacientja e Onkologjisë, Vanja Micevska.
“Kërkojmë të bëhen hetime të hollësishme dhe të shqyrtohen historitë e pacientëve. Nëse është formuar dhe cilat profile të mjekëve janë në përbërje? Listë e ilaçeve, nëse është në formë të tabletave apo intravenozë? Sa vite më parë ka ndodhur kjo? Kërkojmë që me zgjedhje të rastësishme të zgjidhën pacientë të Onkologjisë, që do të kenë qasje në hetim prej ku do të dëshmojnë për besueshmërinë. Duam që në hetim të kyçen edhe përfaqësues nga të gjitha partitë, që e gjithë kjo mos të përfundojë me komentin"Politik".”, - theksoi pacientja e Onkologjisë, Anxhelika Koleva.
Ndërkohë vazhdojnë përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së rreth përgjegjësisë dhe fajit për keqpërdorimin e terapisë në Onkologji. Sipas LSDM-së, kërkesa e VMRO-DPMNE-së për zbardhjen e rastit dhe lidhshmëria e saj me zgjedhjet, dëshmon se Mickoski ka frikë nga hetimi. Sigurojnë se gjithsecili i përfshirë në këtë rast do të përgjigjet. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE rastin e quajnë vrasje me tentim dhe për këtë akuzojnë pushtetin. Ata theksojnë se në momentin që do ta kenë pushtetin në dorë të gjithë të përfshirët do të dalin para drejtësisë.
FLORIJE KAMBERI
