Botë
Stoltenberg: NATO dhe BE-ja të angazhuara bashkërisht në Ballkan
07.09.2023 15:34
NATO dhe BE-ja “po punojnë dorë për dore” në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë....

NATO dhe BE-ja “po punojnë dorë për dore” në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë. Kështu ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg duke folur në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, sa i përket bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s.
“Është mirë që të shohësh që vit për vit ne kemi qenë në gjendje të forcojmë bashkëpunimin mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian në kibernetikë, në hapësirë, në infrastrukturën kritike, në lëvizshmërinë ushtarake dhe ne punojmë dorë për dore në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg foli edhe për Ukrainën, ku theksoi se forcat ukrainase kanë qenë në gjendje që të thyejnë mbrojtjen ruse dhe kanë bërë përparim në kundërofensivën e tyre ndaj trupave të Moskës.
“Ukrainasit gradualisht po fitojnë terren dhe kjo dëshmon rëndësinë e mbështetjes sonë, por edhe të aftësisë dhe vullnetit tonë për të vazhduar mbështetjen. Këto janë luftime të ashpra, të vështira, por ata kanë qenë në gjendje të thyejnë vijën e mbrojtjes së forcave ruse dhe po lëvizin përpara.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Prononcimet e Stoltenberg vijnë derisa autoritetet ukrainase pretendojnë se kanë thyer vijat mbrojtëse të Rusisë gjatë kundërofensivës në jug të shtetit.
GYLTENE SINANI
