Maqedoni
Nxënësit dhe prindërit insistojnë për paralele shqipe në Idrizovë
07.09.2023 16:12
Nxënësit dhe prindërit e Idrizovës edhe këtë vit shkollor po përballen me problemin e njëjtë...

Nxënësit dhe prindërit e Idrizovës edhe këtë vit shkollor po përballen me problemin e njëjtë, mungesën e paraleles me mësim në gjuhën shqipe në SH.F. “Njejgosh”. Këtë kërkesë e kanë paraqitur edhe tek MASh-i.
Prindërit e nxënësve thonë se Ministria e Arsimit ka shprehur gatishmëri për t’i ndihmuar, por komuna nuk po merr masa për hapjen e paraleles shqipe me arsyetimin se nuk ka kushte edhe pse inspektorati i arsimit e ka konstatuar të kundërtën.
“MASh-i i ka marr të gjitha masat dhe është e gatshme për të na ndihmuar që paralelja në gjuhën shqipe të fillojë në shkollën “Njegosh”. Po ashtu është biseduar edhe me kryetarin e komunës, ku ai thotë se nuk ka kushte dhe thotë se për tre muaj do të gjejmë një lokacion ku do të ndërtojmë një shkollë të re në f. Idrizovë për nxënësit shqiptar dhe maqedonas të mësojnë së bashku. Ka thënë se nuk ka kushte, por kushtet janë të kontrolluara nga MASh-i ku është dërguar inspektorati dhe inspektorati ka marr masa dhe ka parë se ka kushte.”, - u shpreh prindi, Rizvan Seferi.
Kërkesa e prindërve është për hapjen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe për nxënësit e klasës së gjashtë, ku do të mësonin 13 nxënës, të cilët aktualisht nuk shkojnë në shkollë.
“Janë 13 nxënës dhe kërkojmë për këto 13 nxënës të jepet paralelja shqipe që të mos i shpërndajmë me disa kilometra në vende tjera. Nxënësit nuk mësojnë askund, bëjnë protesta barabar me ne dhe rrinë në shtëpi.”, - theksoi prindi, Rizvan Seferi.
Shaqiri: Kryetarët e komunave të iniciojnë zgjidhje
Ministri i Arsimit, Jeton Shqiri, kërkon nga kryetarët e komunave që të iniciojnë procedurat për zgjidhjen e problemeve me paralelet shqipe, si në Veles, Çashkë apo Idrizovë.
“Ato si themelues të atyre institucioneve të iniciojnë procedurat, ndërsa ministri do të aprovojë çdo lloj procedure në të mirë të secilit fëmijë, në rastin konkret në të mirë të fëmijëve shqiptarë.”, - deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
Stefkovski: Kërkesa për paralele shqipe, zgjidhja është te ndërtimi i shkollës së re
Kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, për TVM2, në përgjigjen e tij me shkrim thotë se ka ndërmarrë iniciativë për zgjidhjen e këtij problemi, por ai zgjidhjen e sheh në ndërtimin e një shkolle të re. Sipas tij në shkollën fillore “Njegosh” në vendbanimin Koloni, nuk ka kushte për hapjen e paraleles shqipe.
“Personalisht zgjidhjen e problemit e shoh te ndërtimi i shkollës së re. Shkolla ekzistuese “Njegosh” në vendbanimin Koloni, as nuk ka kushte hapësinore, as nuk është siguruar kuadër për hapjen e paraleleve të reja. Si komunë e Gazi Babës mundësojmë nëpërmjet financimit të udhëtimit, nxënësit të kenë mundësi ta ndjekin mësimin në gjuhën amtare, në shkollën më të afërt. Apeloj te Qeveria që sa më parë të sigurojë dokumentacionin planor, të merremi vesh për mënyrën e financimit dhe të ndërtojmë shkollë të re, me të cilën do ta zgjidhim problemin dekadësh në Idrizovë.”, - u shpreh kryetari i komunës së Gazi babës, Boban Stefkovski.
Kërkesa për paralele shqipe në Idrizovë daton që nga viti 2009, ndërsa premtime për plotësimin e kërkesës për hapjen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe ka pasur që nga viti 2019, por kjo çështje vazhdon të zvarritet, që edhe në vitin shkollor 2023/2024 nuk po gjen zgjidhje, thonë banorët e Idrizovës. Ata njëherit shprehen të vendosur të vazhdojnë me protesta deri sa të hapet paralelja shqipe në sh.f. “Njegosh”, që të mos udhëtojnë fëmijët me kilometra.
FITORE DEMOLLI
