Maqedoni
Ndryshimet në Kodin Penal, reagojnë partitë politike dhe KShPK-ja
07.09.2023 16:36
Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, të cilat Kuvendi i miratoi nën flamurin evropian...

Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, të cilat Kuvendi i miratoi nën flamurin evropian me procedurë të përshpejtuar kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion, sepse i referohen neneve që ulin dënimet që prekin funksionarët, zyrtarët dhe personat përgjegjës në ndërmarrjet dhe institucionet publike. VMRO-DPMNE-ja akuzon pushtetin se këto ndryshime i kanë bërë për t’i ikur përgjegjësisë nga krimet, pasi nuhatin rrëzimin nga pushteti dhe në këtë i ka ndihmuar “E Majta”.
“Kovaçevski është lideri i LSD-së, i cili synon të sigurojë amnisti për të gjithë zyrtarët e tyre dhe të largohet dhe Apasiev është vëzhguesi i tij në të gjithë procesin, si një njeri që u soll në pushtet përmes Revolucionit Shumëngjyrësh dhe mundësoi grabitjen e mëvonshme që ndodhi. Duhet ta dinë se do të ketë përgjegjësi dhe do të mbajnë përgjegjësi, sado amnisti të sjellin apo ligje të ndryshojnë.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova.
Lëvizja Demokratike akuzojnë mazhorancën se ndërhyrjen në Kodin Penal e kanë bërë për t’i hapur derë ish-kryeministrit, Nikolla Gruevskit.
“Me ndryshimet në Kodin Penal që po i propozon pushteti LSDM-BDI-ASh, po ia hap derën e kthimit ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe opinioni i gjerë duhet të jetë mirë i informuar për një gjë të tillë.”.
Deri sa opozita akuzon Qeverinë se ndryshimet janë sjellë që pushteti t’i ikë përgjegjësisë, LSDM thonë se me këto ndryshime sigurohet zgjerimi i fushës së konfiskimit. E kjo, sipas social-demokratëve është arma më e sigurt për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ndryshimi i nenit 98-a të Kodit Penal krijon një mundësi ligjore për zbatimin më të madh të masës së konfiskimit nga gjyqtarët duke zgjeruar fushën e veprimit, për të cilat mund të zbatohet konfiskimi i zgjeruar. Kjo nënkupton gjithashtu rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit, gjë që është veçanërisht e rëndësishme.”.
Edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit shprehet i befasuar nga këto ndryshime në Kodin Penal, aq më tepër Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga KShPK-ja që të japë mendim për propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, me afat shpalljeje deri më 20 shtator 2023.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mendon se ndërhyrjet në nenet 353, 353c dhe 394 nuk kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkundrazi shtohet rreziku i pazareve politike dhe tregtisë me pushtetin. Lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë të mbetet vetëm deklarative.”, thuhet në reagimin e KShPK-së.
Ndryshimet në Kodin Penal që u miratuan dje nga Kuvendi nuk u shpallën dhe u diskutuan në Grupin e Punës për përgatitjen e Kodit të ri Penal, thonë nga Blueprint, grupi për reforma në gjyqësor. Ata kërkojnë që presidenti Stevo Pendarovski të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ndryshimeve, sepse sipas tyre do të jenë katastrofike në luftën kundër krimit.
SANIJE DURAKU
