Maqedoni
Shënimi i festës shtetërore 8 Shtatori
08.09.2023 08:31
Me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë do të mbahen disa ngjarje dhe aktivitete ceremoniale...

Në kuadër të shënimit të 32 vjetorit nga shpallja e Pavarësisë së shtetit, delegacioni qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në përbërje nga zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, vendosën lule të freskëta në varrezat e ish-presidentëve të vendit, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, në Alenë e kolosëve në Varrezat e qytetit “Butel” në Shkup.
Shënimi i Ditës së Pavarësisë do të vazhdojë në Parkun e Qytetit në Shkup, në zonën afër lokacionit “Guaca”, ku do të mbahen ushtrime demonstruese taktike të njësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe MPB-së. Në lokacionin "Guaca" është paraparë një program kulturo-artistik, në të cilin orkestra ushtarake e Armatës së Maqedonisë së Veriut, shoqatat kulturore dhe artistike, si dhe program për fëmijë, me pjesëmarrje të Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj të cilët do të interpretojnë shfaqjen "Giga Mega Përrallë".
Gjithashtu, në kuadër të shënimit të festës së Pavarësisë, në të gjithë vendin ka nisë manifestimi kulturor “Ditë e hapur për qytetarët”, që mundëson hyrjen falas për qytetarët në institucionet kulturore, muzetë dhe galeritë në të gjithë Republikën.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
