Maqedoni
Dy vite nga tragjedia në spitalin modularë, familjarët protestuan në Tetovë
08.09.2023 16:18
Me moton 32 vjet shtet 32 vjet korrupsion që vret familjarët e viktimave në spitalin modularë...

Me moton 32 vjet shtet 32 vjet korrupsion që vret familjarët e viktimave në spitalin modularë, protestuan në Tetovë duke kërkuar procedurë të re gjyqësore dhe shkarkimin e prokurorëve të involvuar në këtë rast si dhe kryeprokurorin Lubomir Joveski. Tymi i zi që atë natë mbuloi qytetin sot po mbulon drejtësinë e këtij vendi theksuan familjarët.
“Sot njejtë si para dy viteve i kemi ende të freskëta britmat dhe te qarat e familjarëve, që u dogjën para syve tanë, e ne ishim të pafuqishëm t’i shpëtojmë. Ata sot nuk janë në mesin tonë vetëm pse nuk u respektua asnjë standard i ndërtimit. U munduan të na frikësojnë dhe të na heshtin duke i vlerësuar jetët e tyre me disa mijëra euro, dhe tentuan t’i fshehin fajtorët e vërtetë të kësaj tragjedie. Tymi i zi që atë natë e mbuloi qytetin, sot po mbulon drejtësinë e këtij vendi. Besimi në sistemin e drejtësisë të këtij shteti është zero. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tendereve pa asnjë kriter vetem për përfitime materiale. Korrupsioni vret! Të gjithë politikanët flasin për integrim në BE, kurse nuk respektohet jeta njerëzore. 14 viktima, zero ditë burg. Gjyqësori dhe prokuroria janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar, korrupsionit, të së keqes dhe oligarkisë. Anashkalimi i ekspertizës gjermane vetëm që të amnestohen fajtorët e vertetë është skandal i sistemit gjyqësor. Kultura e pandëshkueshmërisë ka metastazuar në të gjitha nivelet e sistemit dhe nuk e dimë cila onkologji mund ta shërojë kancerin në Maqedoni.”, tha njëri nga familjarët.
