Shqipëri, presidenti Begaj firmos ndryshimet në Qeveri

09.09.2023 12:17

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka firmosur dekretet....

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka firmosur dekretet e shkarkimit të ministrave që largohen nga detyra dhe njëkohësisht emërimin në detyrë të ministrave të rinj.

Të hënën pritet që parlamenti shqiptar të miratojë në një seancë të posaçme dekretet presidenciale për ndryshimet në qeveri.

Për kryeministrin Edi Rama, ndryshimet në kabinet, pritet të sjellin një qasje dhe frymë të re qeverisëse.

Pak ditë më parë kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi asamblenë e PS se kishte ndërmarrë disa ndryshime në kabinetin e tij. Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të jetë Ervin Mete, deri tani drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ndërsa ministra e deritanishme Delina Ibrahimaj do të jetë ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Albana Koçiu do të jetë ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale duke zëvendësuar në këtë post Ogerta Manastirliun.

Zonja Manastirliu do të jetë ministrja e re për Arsimin dhe Sportin.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, do të zëvendësohet në këtë detyrë nga diplomati Igli Hasani.

Anila Denaj do të jetë ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural duke zëvendësuar Frida Krifcën. Kryeministri Rama njoftoi krijimin e një ministrie të re, atë të Pushtetit Vendor, që do ta mbulojë Arbjan Mazniku.