Nju Delhi, Samiti i G20-së, anëtarët dakordojnë deklaratën për Ukrainën

09.09.2023 19:26

Unioni Afrikan e ka siguruar edhe formalisht....

Udhëheqësit e grupit të 20 vendeve kanë miratuar gjuhën e kompromisit për pushtimin rus të Ukrainës, duke kapërcyer dallimet midis Moskës dhe pjesës tjetër të grupit që kishin kërcënuar të prishnin shpresat për një komunikatë të përbashkët nga samiti i kësaj fundjave.

Bashkëbisedimet vijojnë ende, ndërsa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe aleatët e tij kanë rënë dakord për formimin e një korridori të transportit detar dhe hekurudhor, i cili do ta lidhë Indinë me Lindjen e Mesme dhe Evropën, i cili pritet ta ndryshojë tregtinë globale.

Udhëheqësit e vendeve më të pasura kërkuan të parandalonin që konfliktet e sapohapura të shëndërroheshin në kriza të reja.

“Bota po vuan nga një “krizë besimi”. Ka një krizë të madhe besimi në botë. Lufta e thelloi këtë deficit besimi. Megjithatë, pasi të kemi arritur të kapërcejmë Covid-in, atëherë do të jemi në gjendje të përballemi edhe me këtë krizë të besimit të ndërsjellë” – tha Kryeministri i Indisë, Narendra Modi.

Bashkimi Afrikan është ftuar gjithashtu të bëhet një anëtar i përhershëm i G20. Ai ka 55 shtete anëtare,  dhe është blloku i dytë rajonal pas BE-së që mund të kontribuojë ndjeshëm në zgjidhjen e sfidave globale. Janë bërë edhe konkluzione për parandalimin e ndryshimeve klimatike, të cilat çdo ditë kanë pasoja katastrofike në botë.

Udhëheqësit e G20 bënë thirrje për sigurimin e kredive për vendet në zhvillim, reformimin e arkitekturës ndërkombëtare të borxhit, rregullimin e kriptomonedhave dhe ndikimin e gjeopolitikës në sigurinë e ushqimit dhe energjisë. (Flutura Latifi – Rahimi, TVM2)