Sistemi arsimor dhe nevojat e tregut të punës, Shaqiri: Universitetet të kufizojnë kuotat

10.09.2023 13:08

Programet studimore dhe strategjitë në arsim...

Programet studimore dhe strategjitë në arsim janë më se të nevojshme, por janë në kompetencë të Bordit të Akreditimit, thotë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.

Ai potencon se për vitin paraprak dhe për këtë vit u është dhënë udhëzim universiteteve që të kufizojnë numrin e kuatova në mënyrë proporcionale me numrin e maturantëve.

Në përpunim e sipër është Ligji për Arsim të Lartë për përshtatjen e programeve në bazë të nevojave të tregut të punës.

“Akreditimin e programeve studimore për të gjithë universitetet, qoftë publike dhe private, e jep Bordi i Akreditimit. Analizën paraprake, arsyeshmërinë e programeve, po e njëjta, e jep Bordi i Akreditimit dhe vlerëson se cili program ku është më i përshtatshëm. Tash ne po dorëzojmë Ligjin e Arsimit të Mesëm dhe Ligjin e Arsimit Profesional në seancë të Komisionit, pas asaj do të vazhdojmë me pikat tjera të cilat do të vazhdojmë me Ligjin e Arsimit të Lartë, dhe këto gjëra do t’i kemi në konsideratë. Do të vazhdojmë me Ligjin e Arsimit të Lartë, që të përshtasim tregun e punës me nevojat që i kemi në tregun e punës. Analiza në arsimin e lartë universitar na tregon se edhe pse japim bursa, në disa degë ka rënë interesi për degët arsimore.” – tha Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.  

Shaqiri: 14 mijë nxënës në shkolla profesionale

Pasojat ekonomike dhe ankesat e kompanive shpeshherë i drejtohen sistemit arsimor për mospërgatitjen e kuadrit profesional për tregun e punës.

Trendi i rritjes së angazhimit të nxënësve dhe i kompanive në programin dual arsimor ka shënuar rritje, falë angazhimit të kompanive për të mbuluar mungesën e fuqisë punëtore me të cilën po përballet vendi.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, thotë se po ndërmerren hapa bashkëpunimi me institucionet përkatëse për të realizuar reformat të cilat do të mundësonin avancimin e shkollimit profesional.

“Rreth 18 mijë maturantë, 14 mijë prej tyre kanë zgjedhur drejtime profesionale, që d.m.th. lidhen me tregun e punës. Ndërsa numri i paraleleve duale është më shumë se cka qenë në vitin paraprak. Duhet një paketë e një reforme ekonomike të mbarimit të arsimit profesional, tregu i punës t’i thithë apo t’i marrë këta nxënës dhe kompanitë të kenë përfitime të ndryshme. Duhet bashkëpunim me institucionet tjera.” – deklaroi Shaqiri.

Mësimi dual ka një ndikim të rëndësishëm në rritjen e punësueshmërisë së nxënësve dhe së fundmi në lehtësimin e rrugës së tyre drejt një punësimi të denjë dhe të menjëhershëm. (Fitore Demolli, TVM2)