Nju Delhi, Samiti i G20, kërcënimi me armë bërthamore, i papranueshëm
G20 nuk dënoi qartësisht agresion rus në Ukrainë...

G20 nuk dënoi qartësisht agresion rus në Ukrainë, por përzgjodhi një formë më të butë kompromisi mes vendeve anëtare. Ky pajtim mes vendeve është goxha befasi, duke qenë se grupi i G20-ës është thellësisht i ndarë rreth luftës në Ukrainë.
Vendet e Perëndimit kishin bërë trysni në fillim për ta dënuar fuqishëm Rusinë në Deklaratën e Liderëve pas samitit, derisa vendet e tjera kërkuan përqendrim më të madh në çështjet ekonomike.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, njoftoi se Deklarata e Liderëve u miratua në ditën e parë të samitit në Nju Delhi.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve t’i ruajnë parimet e ligjit ndërkombëtar, përfshirë integritetin territorial dhe sovranitetin, të drejtën humanitare ndërkombëtare, dhe sistemin multilateral që ruan paqen dhe stabilitetin.“Ne i mirëpresim të gjitha nismat relevante dhe konstruktive që e mbështetin një paqe gjithëpërfshirëse, të drejt dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Përdorimi apo kërcënimi me armë bërthamore është i papranueshëm”. - thuhet në Deklaratën e Liderëve
Megjithatë, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se deklarata dëshmoi qëndrimin e qartë në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke thënë se integriteti territorial i vendeve nuk mund të vihet në pikëpyetje përmes dhunës.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, tha se deklarata kishte “një gjuhë të fuqishme për luftën e jashtëligjshme të Rusisë në Ukrainë”.
“Mendoj se rezultati është i mirë dhe i fortë”, tha ai.
Nuk ka pasur reagime të menjëhershme nga Rusia, e cila po përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Ai kishte paralajmëruar se do ta bllokonte Deklaratën e Lidervë, nëse në të nuk pasqyrohet qëndrimi i Moskës rreth Ukrainës dhe krizave të tjera.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë vendosur të mos marrin pjesë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
