Maqedoni
Xhaferi: Gjermania mbështet qëllimet tona strategjike
11.09.2023 14:47
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, priti të dërguarin special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin....

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, priti të dërguarin special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin.
Në takim, Xhaferi ka shprehur mirënjohje të veçantë për angazhimin e Saracin, si dhe për mbështetjen e përkushtuar dhe të vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë, për realizimin e dy qëllimeve strategjike të vendit, paraprakisht, anëtarësimi në NATO dhe tani aktualisht, aderimi në anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
Kryetari Xhaferi informoi edhe për aktivitetet të cilat si vend i ndërmarrim në raport me obligimet nga anëtarësimi në NATO për mbështetjen e Ukrainës, si dhe për procesin aktual të fillimit të ndryshimit të Kushtetutës si parakusht i vetëm, i cili duhet të rrumbullakësohet për hapjen e krerëve të negocimit.
Saracin: Miratoni sa më shpejtë ndryshimet kushtetuese
Saracin, ka theksuar se Gjermania dëshiron që procesi i ndryshimeve kushtetuese të rrumbullakësohet sa më shpejtë. Duke e pasur parasysh mundësinë për hapjen e negociatave me Ukrainën në dhjetor të këtij viti, rreziku nga veçimi i vendit tonë nga vendet tjera, pa përmbushjen e kërkesave të duhura evropiane, është i paevitueshëm. Vështrimi i tij është se është humbur shumë kohë në rajon, ndërsa dinamika aktuale në BE për përshpejtimin e procesit të zgjerimit nuk guxon të lëshohet.
