Maqedoni
Antikorrupsioni: BDI ka shkelur Ligjin e financimit të partive
11.09.2023 16:24
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit çështjen e donacionit për BDI-në...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit çështjen e donacionit për BDI-në do ta dërgojë te Enti Shtetëror për Revizion dhe Ministria e Drejtësisë, sepse pretendojnë se BDI ka shkelur Ligjin për financimin e partive politike, për shkak se në vitin 2022 ka marrë donacione më të mëdha se sa është lejuar me ligj. Komisioni i Antikorrupsionit ka konstatuar se mjetet financiare janë kthyer në 2023, e jo në afat prej 15 ditëve, siç parashihet me ligj.
“Ne kemi konstatuar mjetet financiare që janë donacion më i madh se sa ai i lejuar me nenin 16 të Ligjit për financimin e partive politike, janë kthyer, por nuk janë kthyer në pajtueshmëri me nenin 2, në të cilin thuhet se mjetet financiare kthehen menjëherë ose brenda 15 ditësh pas marrjes. Prandaj, ne kemi konstatuar se BDI-ja ka shkelur Ligjin për financimin e partive politike, për shkak se në vitin 2022 ka marrë donacione më të mëdha se sa është lejuar ligjërisht dhe paratë e tepërta i ka kthyer në vitin 2023, në vend se menjëherë ose brenda 15 ditëve pas marrjes.”, - u shpreh anëtari i KShPK-së, Shemsi Sallai.
BDI-ja, përveç që ka marrë donacion nga person fizik me vlerë më të madhe se sa që parashihet me ligj, ka marrë donacione të palejuara edhe nga dy persona juridik, thonë antikorrupisonerët. Sipas tyre janë të nevojshme ndryshime ligjore që do të mundësojë inspektimin e zbatimit të ligjit.
“Fatkeqësisht ky ligj nuk ka institucion që mund të realizoj inspektim mbi partitë politike. Jemi të vetëdijshëm se sa kanë ndryshuar situatat, sa i përket financimit të partive politike, veçanërisht gjatë përiudhës së zgjedhjeve, prandaj janë të domosdoshme ndryshime.”, - theksoi anëtarja e KShPK-së.
Sipas dispozitave të Ligjit për financimin e partive politike, ato nuk mund të financohen nga ndërmarrjet private, të cilat në momentin e dhënies së mbështetjes së partisë politike kryejnë shërbime publike për organet shtetërore ose për institucionet publike, ndërmarrjet dhe fondet me anë të kontratës.
SANIJE DURAKU
