Shkupi, nikoqir i Bërdo-Brionit, tema kryesore, integrimi rajonal
Nikoqiri i organizimit të samitit, Stevo Pendarovski....

Nikoqiri i organizimit të samitit, Stevo Pendarovski, kërkoi që të kthehet Ballkani Perëndimor në agjendën e BE-së, ndërsa çështjet bilaterale mos të ngulfatin procesin e aderimit, por të zgjidhen jashtë këtij rrugëtimi.
Pendarovski komentoi edhe deklaratën e presidentit Makron “Evropa me më shumë shpejtësi”.
Derisa propozimi nuk është prezantuar në institucionet e BE-së dhe nuk është zyrtare, si i tillë, nuk duhet komentuar, tha Pendarovski.
“Në tre vitet e fundit, veçanërisht kemi debalans serioz në këtë kuptim, sepse problemi dypalësh me Bullgarinë, për fat të keq po e përfshinë tërë agjendën tradicionale evropiane për aderim. Ne shpresojmë se kjo do të ndryshohet një orë e më parë, sepse nëse insistoni që në Ballkanin Perëndimor çështjet e pastërta bilaterale të zgjidhen, sidomos nëse janë historike, atëherë nuk do të mundet asnjë vend i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në BE, kurdo qoftë.”, - deklaroi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Dy vendet anëtare në BE, Kroacia dhe Sllovenia, shprehën gatishmëri të ndihmojnë rajonin në sfidat drej rrugëtimit në BE, por potencuan kufirin e mundësive të tyre në këtë asistencë.
“Kroacia dhe Sllovenia mund të ndihmojnë edhe më shumë nga që mendohet që kjo pjesë e Evropës të integrohet në BE dhe kjo filozofi dhe politikë e prolongimit të mos zgjatë aq sa po zgjatë dhe gjithsesi përfshirë edhe fuqinë dhe mjetet që i kemi në disponim janë të kufizuara.”, - theksoi presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
“Sllovenia i përkrahë të gjtha vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e përafrimit. Gjithmonë jemi të gatshëm të ndihmojmë me përvojat tona. U dakorduam se ekzisojnë shumë probleme gjatë rrugëtimit. Kemi pasur edhe ne, s’ka rrugë të lehtë. Konkluduam se nuk është Evropë më e vogël, por është më e madhe me më tepër Evropë në këtë rajon.”, - u shpreh presidentja e Sllovenisë, Natasha Musar.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit dhe rrisin standardet e jetesës për të gjithë qytetarët, pa dallim. Osmani foli edhe rolin e shqiptarëve të Maqedonsië së Veriut në rrugën evropiane të vendit.
“Sa i përket çështjes së komunitetit shqiptar, këtu në Maqedoni të Veriut, unë çdoherë e kam përmendur rolin e tyre jashtëzakonisht pozitiv dhe shtetformues dhe një rol kyç sa i përket rrugës së integrimit evropian të RMV-së. Jam e bindur që shqiptarët këtu në RMV do të vazhdojnë të luajnë rolin pozitiv për ta shtyrë shtetin e RMV-së përpara. Ajo çka dua të them është se do të të donim ta shohim RMV-në BE, dëshirë që e kemi për të gjitha vendet e rajonit.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Samiti ishte konstruktiv edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Biseduam për ardhmërinë evropiane. Te disa entuziazmi është më i madh, te disa pak më i vogël, por për çdo rast mendoj se biseda sot ishte korrekte dhe konstruktive. Nuk kishte përplasje të mëdha, sepse me Prishtinën problemet tona i kemi lënë për të enjten në Bruksel. Sot diskutuam vetëm qasjen e Ballkanit Perëndimoir drejt BE-së.”, - theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Samiti është shfrytëzuar edhe për takime dyplaëshe. Shefi i shtetit, Pendarovski, është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe atë të Kosovës, Vjosa Osmani.
Begaj dhe Pendarovski janë dakorduar se përshpejtimi i procesit eurointegrues të Shqipërisë dhe RMV-së do të ndikojë pozitivisht në tërë rajonin në aspekt sigurie dhe prosperiteti, njoftojnë nga presidenca.
Takimi është përmbyllur me një deklaratë të nënshkruar nga liderët e vendeve pjesëmarrëse në procesin e Bërdo-Brionit. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
