Maqedoni

Kërçovë, ambasadori japonez, Kazuja, vizitoi komunën

11.09.2023 17:26

Ambasadori japonez, Kazuja, qëndron për vizitë në Kërçovë, përuron finalizimin e projektit në SH.F. “Vlladimir Polezhinoski”....

Ambasadori japonez, Kazuja, qëndron për vizitë në Kërçovë, përuron finalizimin e projektit në SH.F. “Vlladimir Polezhinoski”.
 
Ambasadori i Japonisë, Ocuka Kazuja, sot qëndroi në Kërçovë ku pas takimit me kreun e komunës, Fatmir Dehari, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të projektit investues në SH.F. “Vlladimir Polezhinoski”. Ambasadori Kazuja potencoi se projekte të këtilla do të mbështeten edhe gjatë periudhës që vjen.
 
Me një investim prej 80 mijë eurosh, të siguruara nga Ambasada japoneze, në shkollën “Vlladimir Polezhinoski” të Kërçovës, janë ndërruar dyerët, dritaret dhe nyjet sanitare të objektit shkollor, me të cilat janë përmirësuar dukshëm kushtet për zhvillimin e procesit mësimor. Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, drejtori i shkollës, Goran Karafilloski, i shprehu mirënjohje ambasadorit Kazuja dhe popullit japonez, për mbështetjen e dhënë në punët meremetuese të ambienteve mësimore në shkollën që ai drejton.
 
Në fjalën e tij para nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës, ambasadori Ocuka Kazuja, potencoi se Japonia në vazhdimësi e mbështet Maqedoninë e Veriut në sektorë të ndryshëm, në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, ekologji, kulturë dhe ndihma të tjera emergjente, të cilat kapin vlerën prej 8,9 milion euro.
 
“Ne besojmë se investimi në arsim është një investim për të ardhmen. Dua të theksoj se Japonia është fuqimisht e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të Maqedonisë së Veriut, me projekte të rëndësishme për proceset integruese në BE.”, theksoi ambasadori i Japonisë në RMV, Ocuka Kazuja.
 
Realizimin e këtij projekti të rëndësishëm e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili i shrehu mirënjohje ambasadorit Kazuja dhe popullit japonez për mbështetjen e këtij projekti, i cili do të rrisë efikasitetin energjetik në këtë periudhë të krizës së përgjishme energjetike. 
 
Gjatë takimit të sotëm, ambasadori Kazuja, ka paralajmëruar edhe investime të tjera për projektet në arsim, shëndetsi dhe ekologji, nënvizoi kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari, gjatë ceremonisë solemne të organizuar me rastin e finalizimit të këtij projekti në shkollën “Vlladimir Polezhinoski” të Kërçovës.  
 
Programi japonez për grante të vogla, që nga viti 1996 ka mbështetur projekte kapitale në fushën e arsimit, shëndetsisë dhe ambientit jetësor. 
 
SHABAN DALIPI