Maqedoni
Kovaçevski: Po përgatisim pakon e 9-të të masave antikrizë
11.09.2023 17:51
Qeveria po e përgatitë pakon e nëntë të masave antikrizë, paralajmëroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski...

Qeveria po e përgatitë pakon e nëntë të masave antikrizë, paralajmëroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit kjo pako do t’u dedikohet kategorive më të ndjeshme të qytetarëve që vjeshtën dhe dimrin të mos e presin të papërgatitur.
“Do të sigurohet ndihmë për pensionistët, do të sigurohet ndihmë për të rinjtë dhe kompanitë, me qëllim që si edhe në tërë periudhën e kaluar të sigurohet çmim i subvencionuar i energjisë elektrike, siç është edhe aktualisht. Të sigurohet furnizim pa pengesë i enegjisë termike me çmime optimale për qytetarët e Shkupit dhe të sigurohen mjete financiare për ata që nuk kanë mjaftueshëm, që të munden t’i paguajnë llogaritë e tyre për ngrohje gjatë dimrit.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Boçvarski: Shtëpia nuk është privilegj, por e drejtë humane
Këto komente kryeministri i bëri me rastin e ndarjes së 28 banesave sociale në ndërtesën sociale në Gjevgjeli dhe gjashtë banesa në Demirkapi. Ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski tha se të kesh shtëpi nuk është privilegj, por e drejtë humane.
“Dua të theksoj se në këtë thirrje që tanimë e kemi përfunduar, për këtë ndërtesë sociale kanë marrë pjesë vetëm gjashtë kategori qytetarësh, të cilët aplikuan dhe më vjen mirë që fituan banesë sociale.”, - theksoi ministri i Transportit, Bllagoj Boçvarski.
Banesa sociale tanimë janë ndarë në strumicë, Gostivar, Makedonski Brod, Probishtip, Vinicë, Shën Nikollë, ndërsa në fazë finale janë edhe ndërtesat sociale në Veles, Negotinë, Butel, Dibër dhe Koçan.
SEDAT SELIMI
