Maqedoni

Idrizovë, vazhdon problemi me hapjen e paraleles në shqip

12.09.2023 14:03

Problemi për fëmijët e Idrizovës për të mësuar në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet i pa zgjedhur...

Problemi për fëmijët e Idrizovës për të mësuar në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet i pa zgjedhur edhe përskaj apeleve të shumta, protestave dhe takimit të realizuar me kryetarin e Komunës së Gazibabës, Boban Stevkovski. Prindërit vazhdojnë të këmbëngulin se fëmijët e tyre nuk do ta vazhdojnë mësimin nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të në gjuhën maqedonase, ndërsa kryetari i komunës e hedh topin tek Ministria dhe Qeveria se ka kërkuar që të ndërtohet shkollë e re. Sipas Këshillit të prindërve zgjidhja më e mirë dhe më e shpejtë do të ishte që fëmijët nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të ta vazhdojnë në Sh.F. “Njegosh” në paralele shqipe, ndërsa kryetari i komunës ka pohuar se kjo shkollë nuk ka hapësirë edhe për një paralele.
 
“Si Komunë e Gazibabës duam zgjedhje të përhershme të këtij problemi dhe gjatë takimit me banorët atje, kërkesa e tyre ishte që të ndërtohet një shkollë dhe aty të mësojnë edhe nxënësit shqiptarë edhe ato maqedonas dhe në këtë drejtim kemi dërguar iniciativën tonë deri tek Qeveria, Ministria e Arsimit, por deri më tani nuk kemi përgjigje. Kërkesa e këtyre prindërve ishte hapja e paraleles vetëm për 13 nxënësit e klasës së 6-të, por për mua ishte e pakuptimtë se çka do të bëjmë pastaj me ato të klasave të 7, 8, 9. Ne nuk mund të lejojmë të hapim një paralele, ndërsa fëmijët tjerë të udhëtojnë. Shkolla në Njegosh nuk ka hapësirë, pra është e mbingarkuar, por është edhe problemi i kuadrit mësimor. Ju kemi dhënë opsion ato të mësojnë në Ognjancë, ku komuna paguan transport.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Gazibabës, Boban Stevkovski.
 
Por, këtë kërkesë banorët e Idrizovës nuk e pranuan dhe nga takimi me kryetarin e komunës dolën të pakënaqur. 
 
“Takimi jonë ka qenë i mirëpritur, por biseda ka përfunduar shumë keq, ne kemi kërkuar paralelen, por ai përsëri apeloi se ka gjetur një lokacion, por ne me kësi lokacione dhe gënjeshtra jemi mbushur. Ne kemi kërkuar që paralelja e klasës së 6-të në gjuhën shqipe të hapet në Njegosh dhe mos të na dërgojnë nëpër shkollat tjera.”, - tha njëri nga banorët.
 
Prindërit e nxënësve deri sa po protestonin para godinës së komunës dhe insistojnë në hapjen e paraleles në gjuhën shqipe, rikujtuan se zgjidhja e këtij problemi  ka qenë premtim edhe në fushatën zgjedhore të kreut të komunës.
 
“Kryetari i komunës po i bën disa gabime se na ka premtuar për të hapur ose shkollën ose paralelen. Kur kishte nevojë për vota, na lutej, ndërsa tani me këto deklarata që po i thotë, kjo është turp për atë dhe komunën e tij. Disa fëmijë shkojnë në paralele maqedonase, disa shkojnë në Ognjancë, ndërsa disa vijnë këtu tek Kongresi i Manastirit.”, - u shpreh një prind.
 
“Shkollimi është më i rëndësishëm për ne, me vite të tëra vuajmë kështu duke u dërguar nxënësit me kilometra larg. Fëmijët janë duke qëndruar në shtëpi, janë pa mësim dhe s’kemi rrugëdalje dhe e kemi patjetër të ngrihemi në protesta. Ka vend në shkollën në Njegosh, ka kushte, por nuk duan, nuk duan të pranojnë gjuhën shqipe.”, - u shpreh një prind tjetër.
 
“Kryetari kur ka qenë  t’i merr votat në Idrizovë, e para pyetje ka qenë se a do të bëhet shkolla, në qoftë se bëhet kryetar i komunës. Ai ka thënë PO, ose paralele shqipe ose shkolla, e këtu zgjidhje nuk ka as për shkollë e as për paralele, tani e kërkojmë të dalë e të ballafaqohet me ne, mirëpo ai nuk del.”, - tha një prind.
 
“Mua më intereson se pse kryetari nuk lejon të jetë gjuha shqipe prej klasës së 6-të deri në klasën e 9-të, sepse shkolla vetëm ekziston. Vajza ime ka 50 vite dhe vazhdimisht ka mësuar shqip.”, - tha një prind tjetër.
 
“A ka fëmijë që po vijojnë mësimin në gjuhën Maqedonase?”, - pyeti gazetari.
 
“Po, ka.”, - u përgjigj një prind.
 
“Nëse hapet paralelja, i ktheni fëmijët në gjuhën shqipe?”, - pyeti gazetari.
 
“I kthejmë, të gjithë i kthejmë, unë po ju garantoj që i kthejnë të gjithë.”, - u përgjigj prindi.
 
Komuna e Gazibabës të Shkupit vazhdon të mos lejojë realizimin e mësimit në gjuhën shqipe nga klasa e 6-të e deri në atë të 9-të, kurse fëmijët po improvizojnë një klasë mësimi në shtëpitë e tyre. Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë nga viti 2009 kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e 6-të deri në të 9-ën, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri, por kjo nuk po realizohet.  
 
FITIM KRYEZIU