Ndryshimet kushtetuese, Roth: Të dhimbshme, por të nevojshme
Ndryshimet kushtetuese janë të dhimbshme për disa...

Ndryshimet kushtetuese janë të dhimbshme për disa, por janë të domosdoshme dhe në këtë drejtim duhet të kyçen të gjithë aktorët politik për ta kthyer vendin në rrugën evropiane, theksoi kryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme të Bundestagut dhe ish-ministri shtetëror gjerman për Evropë, Mihael Roth, në konferencën e sotme “Përparimi i Procesit të Berlinit përmes diplomacisë parlamentare”, që po mbahet në Kuvend.
“Ne jemi shumë të okupuar me luftën në Ukrainë, por kjo nuk do të thotë se harrojmë rolin e rëndësishëm që vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Maqedoninë, e luajnë për të ardhmen e Evropës. Për këtë arsye inkurajoj kolegët e mi këtu në Parlament dhe Qeveri të bëjnë më të mirën e tyre të kthejnë Maqedoninë në këtë rrugë, që do të thotë se ndryshimet kushtetuese mund të jenë të dhimbshme për disa kolegë, por fundja janë të nevojshme.”, - deklaroi kryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme të Bundestagut, Mihael Roth.
Xhaferi: Diplomacia parlamentare, mjet i fuqishëm
Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, thotë se diplomacia parlamentare është një tjetër mjet i fuqishëm që mund të jetë vendimtar për zgjidhjen e problemeve komplekse, siç janë çështjet e hapura dhe konfliktet, duke pasur parasysh mundësinë e dialogut mes deputetëve dhe gjetjes së zgjidhjeve potenciale.
“Jemi të vetëdijshëm se në mënyrë gjeografike, strategjike dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve, si rajon jemi të predispozuar të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, sapo t’i përmbushim kushtet e duhura për anëtarësim. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm se në atë rrugë, të gjithë ne individualisht dhe në mënyrë kolektive jemi të drejtuar para shumë sfidave të natyrës së ndryshme.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Vizita e parlamentarit gjerman Roth është pjesë e përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar për të fokusuar elitën politike në vend në rëndësinë e zbatimit të ndryshimeve Kushtetuese që mbeten si sfidë për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit. (Leunora Kaliqi, TVM2)
