Skandali në Onkologji, VMRO-DPMNE kërkon komision për zbardhjen e rastit
Nga kjo parti sa më shpejtë kërkojnë....

“Për LSDM-në dhe BDI-në, padyshim që e vërteta dhe drejtësia për skandalin e Onkologjisë nuk janë prioritet", thonë nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas tyre, qytetarët kërkojnë përgjigje dhe reagim të shpejtë nga institucionet, por Qeveria përpiqet me këmbëngulje të blejë kohë dhe ta prishë të gjithë çështjen.
Nga kjo parti sa më shpejtë kërkojnë të formohet Komision Hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
“Nga kjo foltore i bëjmë thirrje edhe një herë që të miratojnë menjëherë vendimin për formimin e Komisionit Hetimor dhe të nisin menjëherë punën e tij, me qëllim zbardhjen e fakteve dhe të vërtetës për skandalin e Onkologjisë. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Ripërtrirje për Maqedoni” apelojnë tek autoritetet që të mos bëjnë takt dhe të mos blejnë kohë, sepse kjo është një temë për të cilën duhet të ketë përgjegjësi dhe zgjidhje gjyqësore.”, - deklaroi Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO-ja e politizon rastin
Nga LSDM-ja thonë se VMRO-DPMNE-ja e pengon hetimin dhe politizon rastin në Onkologji.
“DPMNE ka rënë aq poshtë, sa që po abuzon me të sëmurët dhe në vend që ta mirëpresë hetimin, po e pengon duke tentuar ta politizojë dhe ngatërrojë me një autoritet inekzistent. Kjo vetëm konfirmon se Mickoski ka frikë se çfarë do të tregojë hetimi për gjithçka që është bërë në Onkologji me vite të tëra. Kushdo që ka gabuar, në rastin e Onkologjisë do të përballet me përgjegjësi dhe do të sillet para drejtësisë, pavarësisht nga përkatësia partiake, etnike apo tjetër.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Klisarova: Sistemi ku mjekët fusin të dhënat, nuk punon
Sipas drejtoreshës së Klinikës së Onkologjisë, të gjitha keqpërdorimet e mundshme, mund të kenë ardhur për shkak të mosfunksionimit të sistemit për një kohë të gjatë, ndërsa për të rregulluar këtë problem, ka mungesë financiare.
“Nuk ka asnjë marrëveshje, do të thotë servisim i duhur i sistemit. I njëjti nuk është i kyçur, domethënë nuk është i lidhur me sistemin, ku mjekët i fusin të gjitha të dhënat për pacientët, duke përfshirë përshkrimin e dozës. Mbani parasysh të gjitha këto, me analizë të detajuar arritëm në përfundimin se duhet bërë një shërbim i plotë i sistemit, por edhe shtrirjen e saj, që i njëjti të mund të funksionojë. Prandaj ka ardhur deri te nevoja financiare, pra dua të them se klinika jonë nuk ka kapacitet financiar, që ta aplikojë këtë procedurë.”, - u shpreh drejtoresha e Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Violeta Klisarova.
Lëvizja “Besa”: LSDM-ja dhe BDI-ja ndërhyn në punën e gjyqësorit
Ndërkohë, sipas Lëvizjes “Besa”, për hetimin e rastit në Onkologji dhe të gjitha rasteve të tjera, LSDM-ja dhe BDI-ja vazhdon ashpër të ndërhyjë në punët e gjyqësorit.
“Udhëheqësit politik të këtyre dy subjekteve politike nuk u mjaftuan me emërimin e të afërmve të tyre në pozita kyçe në organet e drejtësisë, por përkundrazi vazhdojnë të ndikojnë dhe të degradojnë pushtetin gjyqësor”, thonë nga Lëvizja “Besa”. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
