Administrata Gjyqësore në protestë, kërkojnë rritje të pagave

12.09.2023 16:43

Sindikata e Pavarur e Administratës shtetërore....

Sindikata e Pavarur e Administratës shtetërore së bashku me Sindikatën për shërbim gjyqësor protestuan për të shprehur revoltën e tyre për pagat e ulëta që po i marrin, për mospagesën e shtesave dhe njëkohësisht nuk janë dakord që regresi vjetor t’u paguhet vetëm 10 mijë denarë.

Kërkojnë rritje urgjente të pagës minimale prej 78 për qind dhe 35% rritje të shtesave në pagë, përkundrazi paralajmërojnë se nuk do të lëshojnë me dokumente zyrtare dhe se do të intensifikojnë protestat në rrugë.

“Kërkesat tona kanë të bëjnë me rritjen e pagës minimale për 78%, si dhe shlyerja e pagesës shtesë të pagave prej 35% dhe e njëjta të jetë e detyrueshme. Jo çdo muaj gjykatat të presin lëmoshë nga Ministria e Financave, nëse do të aprovojnë mjetet ose jo.  Për të punësuarit në burgje, respektivisht në sektorin e krimit të organizuar, po ashtu kërkojmë rritje prej 15 për qind, trajnime dhe punësime të reja.”, - deklaroi Goran Risteski nga Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore.

Prej përfaqësuesve të Ministrisë së Financave u informuan se për ata nuk janë ndarë mjete shtesë konform kërkesave të tyre.

“Ministri i financave nuk gjeti mënyrë që përmes rebalansit të fundit të buxhetit të ndajë mjete për rritje të pagave tona, prandaj jemi të revoltuar dhe do të vazhdojmë me protestat në rrugë.”, - theksoi kryetarja e Administratës Gjyqësore, Jasmina Veliçkova.

“Unë isha pjesë e grupit negociues dhe ajo që na befasoi është se ata nuk kanë veshë për të na dëgjuar kërkesat dhe nuk e arritëm ta kuptojmë se si dhe me çfarë kritere i kanë ndarë mjetet e parashikuara nëpër institucione, ku për ne  janë  dedikuar vetëm 10%?!”, - u shpreh kryetari i Sindikatës Organizative Gjyqësore, Dragan Josevski.

Protestat e sindikalistëve në fjalë do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim para gjykatave në Shkup. (Rexhep Qamili, TVM2)