Në Gjykatën Penale vazhdoi gjykimi për Llaskarcën

12.09.2023 17:35

Me marrjen në pyetje të ekspertit, Lupço Postolov....

Me marrjen në pyetje të ekspertit, Lupço Postolov, i cili është pjesë e ekipit për përgatitjen e superekspertizës në komunikacion, në Gjykatën Themelore Penale -Shkup, ka vazhduar gjykimi për aksidentin e autobusit në Llaskarcë, në të cilin humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 ishin lënduar.

Krahas Postollovit, në ekipin e ekspertëve të cilët e përgatitën superekspertizën e komunikacionit janë edhe ekspertët, Jakup Mamuti dhe Nevzat Zeqiri. Të akuzuar në rastin për aksidentin në Llaskarcë, i cili ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019 janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs”, përgjegjësi për transport në firmë, Remzi Mustafa dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të kryera penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion.

Përderisa, tre të punësuarit në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëpjesëmarrje në veprën e njëjtë.