Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Roth: Të dhimbshme, por të nevojshme

12.09.2023 18:14

Vizita të njëpasnjëshme të diplomatëve të huaj në tentativë për të bindur deputetët...

Vizita të njëpasnjëshme të diplomatëve të huaj në tentativë për të bindur deputetët që t'i japin dritë jeshile ndryshimeve kushtetuese. Një thirrje të fuqishme e përcolli edhe kryesuesi i komitetit për politikë të jashtme të Bundestagut, Mihael Roth, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në vendin tonë. Kërkon që të sigurohet shumica e nevojshme në Kuvend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që shteti të vazhdojë me rrugëtimin drejt BE-së. Pushtet e opozitë, koha është tani të veproni, sepse çështjet tjera presin, tha Roth.
 
“Kemi propozim në tavolinë që duhet të ndryshohet, jo për arsye që këtu të përmirësohet gjendja e pakicave, por të arrihet depërtimi i RMV-së drejt BE-së  dhe e kemi patjetër ta shpejtojmë tempon. Njerëzit mezi presin. Është në interesin tuaj dhe tonin. Tash duhet të kemi përcaktim të qartë për unitet dhe për evropianizim të Ballkanit Perëndimor dhe këtu duhet të ndihmojmë. Unë jam parlamentar dhe e di sa është e vështirë ndonjëherë të gjenden kompromise. Tani nuk bëhet fjalë profilizim si qeveri apo opozitë.”, - deklaroi kryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme të Bundestagut, Mihael Roth. 
 
Osmani: Parakusht për hapjen e negociatave
 
Ministri Osmani është mirënjohës për kontributin gjerman në arritjen e qëllimit strategjik shtetëror. 
 
“E gjithë është në kuadër të mbështetjes që Gjermania i jep procesit të integrimeve të RMV-së, natyrisht kjo edhe në përpjekjet tona për të arritur konsensus për ndryshimet kushtetuese, që kujtojmë se janë nën 1, në interes të pozicionit tonë viza-vi raporteve me Bullgarinë dhe parakusht për hapjen e kapitujve me BE-në.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
Xhaferi: Diplomacia parlamentare, mjet i fuqishëm
 
Paraprakisht Roth mori pjesë në “Konferencën mbi  përparimin e  Procesit të Berlinit përmes diplomacisë parlamentare”, që u mbajt në  Kuvend. Kryetari i shtëpisë legjislative, Talat Xhaferi, e cilëson diplomacinë parlamentare si mjet i fuqishëm që mund të jetë vendimtar për zgjidhjen e problemeve komplekse.
 
“Jemi të vetëdijshëm se në mënyrë gjeografike, strategjike dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve, si rajon jemi të predispozuar të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, sapo t’i përmbushim kushtet e duhura për anëtarësim. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm se në atë rrugë, të gjithë ne individualisht dhe në mënyrë kolektive jemi të drejtuar para shumë sfidave të natyrës së ndryshme.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. 
 
Edhe vizita e parlamentarit gjerman Roth vjen në kohën kur deputetët e Kuvendit nuk po munden të sigurojnë numrat e nevojshëm në mënyrë që të miratohen ndryshimet kushtetuese, si kusht i propozimit francez për të mbajtur konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU