Ekonomi
Rritja e çmimeve ushqimore, Bytyqi: Kompanitë të mos keqpërdorin krizën
13.09.2023 14:23
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, njofton se institucionet ekonomike...

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, njofton se institucionet ekonomike duhet të jenë më vigjilent për të parandaluar krizën ekonomike dhe një gjë të tillë e ka kërkuar dhe nga Komisioni për mbrojtje të konkurrencës. Sipas Bytyqit nuk është e mundur që kriza të thellohet nga kompanitë dhe se të njëjtat janë të obliguara të kenë etikë dhe të mos keqpërdorin krizën.
“Isha në Komisionin për mbrojtje të konkurrencës. Kam kërkuar të marrin iniciativë për disa sektorë që nëse mund të provojmë se ka marrëveshje të fshehta në gjithë këtë që po ndodh dhe së shpejti do të dalim edhe me të dhëna konkrete. Diçka po ndodh, vendi ynë nuk mund të jetë i izoluar kur është pjesë përbërëse e Evropës. Nëse ushqimet janë rritur për 11 për qind në Bashkimin Evropian, te ne janë rritur për 46 për qind dhe kjo nuk është etike.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi: Do ta miratojmë ligjin për sipërmarrje sociale
Në forumin e dytë rajonal për ndërmarrësi social të organizuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, “RICO”, Bytyqi thotë se në fazë përfundimtare është përgatitja e ligjit për ndërmarrësi sociale, ligj i cili garanton pavarësi ekonomike për kategoritë më të rënduara dhe bazë e mirë për parandalimin e migrimit të të rinjve. Nga “RICO” thonë se kjo iniciativë shërben që të rinjtë idetë e tyre t’i implementojnë në vend të tyre dhe jo në vend të huaj.
“Zhvillimi i ndërmarrësisë sociale na bën më atraktiv dhe na bën konkurrent në rajon. Këtë model duhet ta implementojnë të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“52 për qind e të rinjve ikin për këtë arsye. Të rinjtë në këtë mënyrë mund ta ngrenë zërin e tyre për dëshirat e tyre dhe ne do t’i përkrahim idetë e tyre për ndërmarrësi sociale dhe deri tani kemi përkrahur mbi 350 ndërmarrës social.”, - u shprehën nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, “RIKO”.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në zhvillimin e vlerave të ndërmarrësisë sociale, sepse është një nga mënyrat përmes së cilës mund të ndërtojmë një shoqëri me mundësi të rrënjosura gjithëpërfshirëse, tha zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
GAZMEND REXHEPI
