Botë

Takimi Kurti-Vuçiq, Escobar: Të merren seriozisht detyrimet e MO-së

13.09.2023 14:43

Në prag të takimit të së enjtes ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq...

Në prag të takimit të së enjtes ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, pret nga palët të marrin seriozisht detyrimet e tyre, të dala nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të fillojnë përmbushjen e tyre për të shënuar përparim në zbatimin e saj. Escobar i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.  
 
“Shpresojmë që nëpërmjet trajtimit të detyrimeve dhe kërkesave që nuk janë zbatuar ende nga Marrëveshja e Ohrit, do të mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet, që nga zgjedhjet dhe deri tek targat e makinave dhe letërnjoftimet dhe çështjet e tjera që u shndërruan në burim përshkallëzimi. Është shumë e rëndësishme që të zgjidhim një mori gjërash.”, ka thënë Escobar.
 
Ai tha se në telefonatën e fundit me kryeministrin Kurti nuk ka marrë zotim konkret për prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Kurti vetëm është zotuar të shkonte në takimin në Bruksel me presidentin serb, Vuçiq.
 
Rama: Plani franko-gjerman nuk ka alternativë
 
Në prag të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se të gjithë duhet ta dinë s’ka alternativë tjetër përveç zbatimit të menjëhershëm të planit franko-gjerman.  
 
“Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët dhe pikë. Por megjithatë, nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi. Thënë kjo, unë me sinqeritet shpresoj që të gjithë të përfshirët në procesin e normalizimit të jenë të vetëdijshëm për atë çfarë që luhet sot mes Kosovës e Serbisë dhe të kuptojnë, dreqi e mori, që çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin, ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Evropa.”, ka thënë Rama në një shkrim në Facebook. 
 
Vetëm kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se shpreson që proces i dialogut do të bëjë një kthesë në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike që nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Kurti insiston që gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri të zbatohen sa më parë në plotësi. 
 
GYLTENE SINANI