Maqedoni

Ndryshimet në Kodin Penal, Kovaçevski: Do të çojnë në efikasitet më të madh

13.09.2023 15:03

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, thotë se ndryshimet në Kodin Penal...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, thotë se ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat u zvogëlohen dënimet me burg zyrtarëve, janë pozitive dhe do të çojnë në efikasitet më të madh të sistemit të drejtësisë. Ai thotë se dënimet e mëparshme kanë qenë të kohës së komunizmit dhe ndryshimet që janë bërë ekzistojnë në shumë vende të Bashkimit Evropian.
 
“Ndryshimet janë bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi në BE. Po të shohësh legjislacionin gjerman, atëherë neni që u komentua më shumë, është pikërisht i njëjti në Gjermani. Nëse e shihni shumën e gjobave dhe i krahasoni me Slloveninë, do të shihni se janë në të njëjtin nivel. Fakti që paraprakisht kemi pasur një ligj në të cilin dënimet janë të kohës së komunizmit, sepse janë bërë nga një, unë do ta quaja Dart Vader të gjyqësorit maqedonas, nuk do të thotë se ato nuk duhet të ndryshohen.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
KE: Prekin një numër të madh rastesh të korrupsionit
 
Arsyetimi i pushtetit për ndryshimet në Kodin Penal është harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së, por nga Komisioni Evropian shprehin shqetësim se disa nga ndryshimet në Kodin Penal prekin një numër të madh rastesh të korrupsionit të nivelit të lartë.
 
“Disa nga ndryshimet në Kodin Penal të miratuara me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i RMV-së, të cilat reduktojnë dënimet maksimale ligjore dhe shkaktojnë implikime në zbatimin e parimit të parashkrimit, prekin një numër të madh rastesh  të korrupsionit të nivelit të lartë. Na vjen keq për mungesën e konsultimit gjithëpërfshirës me aktorët vendas dhe KE-në përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e ligjit kombëtar me BE-në.”, ka thënë zëdhënësja e KE-së, Ana Pisinero për agjencinë “Mia”.
 
Kovaçevski për qëndrimin e KE-së: Askund nuk lexova se keqpërdoret flamuri evropian
 
Por, sipas asaj që ka lexuar kryeministri Kovaçevski në qëndrimin e Brukselit, askund nuk thuhet se është keqpërdorur, por se është përdorur flamuri i BE-së.
 
“Bashkimi Evropian nuk ka thënë se është keqpërdorur, por është përdorur flamuri evropian, e lexova në detaje deklaratën e tyre. Doli se ligji ishte miratuar tashmë dhe asgjë dramatike nuk ndodhi. Kjo do të thotë se nuk ishte ndryshuar për diçka apo dikë, por se janë bërë për përmirësimin e sistemit.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Mickoski: Nuk do të mbështesim ligje në shërbim të krimit
 
VMRO-DPMNE vazhdon me qëndrimin se ndryshimet në Kodin Penal paraqesin amnisti. Mickoski duke komentur qëndrimin e BE-së dhe Kovaçevskit tha se edhe informacioni rreth përgatitjes se ligjit për amnisti, është në shërbim të disa partive politike që kanë premtuar se dikush do t'i shpëtojë drejtësisë.
 
“Nuk ka, e as nuk do të ketë komunikim zyrtar ose jozyrtar me këta njerëz në këtë Qeveri. Nuk kemi as edhe një presje ose pikë në tekstin e atij ligji që është propozuar. Ai ligj është ligj për amnistimin e kriminelëve, për të cilët disa parti të caktuara në të kaluarën kanë dhënë premtime se ose do të lirohen tërësisht ose pjesërisht. Për fat të keq, ato parti politike ose disa parti janë në Qeveri.”, - u shpreh lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
 
Mickoski paralajmëroi se partia e tij jo vetëm që s’do ta mbështesin ligjin për amnisti, por edhe përmes instrumenteve demokratike të njëjtin do ta bllokojë. 
 
SANIJE DURAKU