Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Do të sigurojmë 118 deputetë
Seanca parlamentare për ndryshimet kushtetuese...

Seanca parlamentare për ndryshimet kushtetuese do të vazhdojë kur të krijohen kushtet për të. Ky është një proces që nuk ndalet dhe prej tij varet e ardhmja e vendit, tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Edhe pse për momentin çështja e ndryshimeve kushtetuese nuk po lëvizë nga vendi, kryeministri është optimist se në fund ndërhyrja në preambulën e Kushtetutës do të bëhet me mbështetjen e 118 deputetëve.
“Seanca për ndryshimet kushtetuese do të vazhdojë kur të krijohen kushtet për të, pra kur të dihet se shumica më e madhe e deputetëve në Kuvend tashmë e kanë kuptuar se duhet miratuar. Deri në fund të këtij mandati parlamentar kemi gati edhe një vit. Unë them se në fund do të jenë 118.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickoski: Kërkesa e Kovaçevskit, mision i pamundur
Por, lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, qëndrimin e kryeministrit se për ndryshimet kushtetuese do të votojnë 118 deputet, e vlerëson si një mision të pamundshëm. Ai thotë se një kohë të gjatë nuk u kushton rëndësi deklaratave të Kovaçevskit.
“Qëllimi i parë është ruajtja e kohezionit brenda partisë, e cila sipas informacioneve jozyrtare është e ndarë në disa struktura dhe struktura e LSDM-së është totalisht e demotivuar. Dhe nëse ai nuk u jep atyre pak shpresë, atëherë mendoj se dështimi që do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë edhe më i madh. Qëllimi i dytë është një mesazh për ndërkombëtarët, na jepni edhe pak muaj të vjedhim e të gënjejmë, sigurisht që zgjedhjet e rregullta parlamentare janë në pranverë.”, - theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Mickoski ripërsërit se deri sa nuk shohin vullnetin të mirë nga pala bullgare se ata me të vërtetë dëshirojnë të jenë fqinjë të mirë, VMRO-DPMNE-ja nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese. (Sanije Duraku, TVM2)
