Maqedoni

Rasti "Spitali i Onkologjisë", Zyberi: Shkelje serioze e të drejtave të njeriut

13.09.2023 15:53

Zyra e Avokatit të Popullit....

Zyra e Avokatit të Popullit edhe para gjashtë muajve ka lajmëruar për mungesë të terapisë për të sëmurët me kancer në Klinikën e Onkologjisë.

Informacionet e fundit lidhur me keqpërdorimin e terapisë për të sëmurët me kancer, Avokati i Popullit, Naser Zyberi, e sheh si shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Tha se situatën me Spitalin e Onkologjisë, por edhe sferat e tjera të shëndetësisë do t’i ndjekin në vazhdimësi.

“Siç kalon koha shihet se këto probleme në këtë resor janë serioze, çështja me Onkologjinë është vetëm një nga shembujt të cilët i tregon problemet me të cilat ballafaqohemi. Këtu më duhet të konstatoj se ka shkelje serioze të të drejtave të qytetarëve në sferën e mbrojtjes shëndetësore, të cilat shpresoj se do të ketë epilog gjyqësor.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Zyberi.

Mladen Zlatanovski, pacient në Klinikën e Onkologjisë, ka pranuar terapinë e fundit. Edhe tek ai, sikurse tek pacientët e tjerë me këtë sëmundje, pas informacioneve për keqpërdorim të terapisë janë shfaqur dilema nëse vërtet e ka pranuar terapinë e vërtetë.

“Kthehem prapa dhe i kujtoj reagimet që kam pasur pas secilës terapi. 3-4 terapitë e para nuk i kam ndjerë siç i ndjeva reagimet e disa të tjerave. Pra, kisha reagime, por jo shumë, më vonë filluan të theksohen në disa pjesë të trupit.”, - theksoi pacienti, Mladen Zlatanovski.

Pacienti Aleksandar Milanov thekson se nuk është e lehtë të dëgjoni lajme të tilla për institucionin ku besoni se do të ju ndihmojë të mbijetoni,megjithatë thekson se është i kënaqur nga personeli i spitalit.

“Nuk kam pritur për asgjë, përveç radhës për kontroll që është normale. Them se janë shumë humanë dhe profesionalë.”, - u shpreh pacienti, Aleksandar Milanov.

Pas informacioneve për keqpërdorim të terapive të personave të sëmurë nga kanceri, familjarë dhe pacientë onkologjik, përmes dy protestave para godinës së Qeverisë dhe Prokurorisë Themelore Publike shprehën pakënaqësi dhe kërkuan përgjegjësi dhe zbardhje të rastit.

Nga Prokuroria Themelore Publike, akoma nuk japin detaje mbi rastin, ndërkohë që kanë informuar se po punohet dhe analizohen dokumentet e konfiskuara. Për të deklaruar rreth terapisë dhe përvojës në Spitalin Onkologjik, në pyetje  janë marrë edhe disa pacientë. (Florije Kamberi, TVM2)