Maqedoni
Nxënësve të shkollave në Tetovë ende u mungojnë shumë libra
13.09.2023 16:25
Dy javë që nga fillimi i vitit shkollor, nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë....

Dy javë që nga fillimi i vitit shkollor, nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë, ende u mungojnë shumë libra, kështu kanë deklaruar nga Sektori i Arsimit në Tetovë, Validin Ademi. Ademi tha se për momentin në shkollat e Tetovës ka mungesë të teksteve shkollore mbi 40 mijë.
“Në bazë të rezultateve që kemi, mungojnë rreth 33,642 tekste shkollore edhe atë në gjuhën shqipe 28,484, në gjuhën maqedonase 4,968 dhe në gjuhën turke 190. Pa ato do të arrijnë deri në 40 mijë mungesa e teksteve shkollore. Në shkollën e mesme tekstile në Tetovë, në atë shkollë mungojnë tekste të drejtimeve profesionale, siç janë, drejtimi i Dizajnit dhe Ambientit, Drejtimi i Tekstilit dhe lëndëve Kimi-Teknologji.”, - u shpreh Validin Ademi nga Sektori për Arsim, Komuna e Tetovës.
Edhe drejtori i shkollës së mesme tekstile, Muzafer Livareka, thotë se me programin e ri për arsim kanë vetëm katër libra për vitin e parë, ndërsa asnjë libër për vitin e dytë, tretë dhe të katërt.
“Këtë vit libra me programin e ri janë vetëm katër tituj. Na kanë ardhur kulturë muzikore viti i parë, matematikë viti i parë, tek lëndët profesionale janë materialet e tekstilit dhe lëkurës dhe arsimit i prodhimit teknik. Libra me programin e ri janë katër tituj edhe gjithë janë të vitit të parë, që nënkupton të vitit të dytë, tretë edhe të katërtë nuk kemi libra me programin e ri.”, - theksoi drejtori i Sh.M.GJ.S. Tekstil, Muzafer Livareka.
Nga Ministria e Arsimit thonë se shumë shpejtë të gjitha shkollat do të furnizohen me tekste shkollore.
VISAR SADIKU
