Botë

Përmbytjet apokaliptike në Libi, qyteti i Dernës nuk ekziston më

13.09.2023 16:44

Ajo që ka lënë pas stuhia “Daniel” në Libi mund vetëm të imagjinohet dhe përmasat janë apokaliptike...

Ajo që ka lënë pas stuhia “Daniel” në Libi mund vetëm të imagjinohet dhe përmasat janë apokaliptike. Shkatërrimet e pabesueshme të kësaj stuhie shembën edhe digat në qytetin Derna, kjo e ka bërë që numri i viktimave të rritet. Në pamjet satelitore, qyteti Drena është zhytur i tëri nën ujë dhe duket sikur të jetë zhdukur  tërësisht. Vdekjet e konfirmuara nga autoritetet janë të paktën 6 mijë, ndërsa 10 mijë njerëz rezultojnë të zhdukur. Ndihma e parë ka ardhur nga shoqatat libaneze, Kryqi i Kuq dhe Gjysëm Hëna e Kuqe. Familjarët që kanë humbur të afërmit e tyre, tregohen të fortë pasi siç thonë ata, ky është vullneti i Zotit. 
 
“Uragani “Daniel” goditi pjesën lindore të Libisë dhe la pas mijëra e mijëra popullsi të prekur mes vdekjes, të bllokuar dhe të humbur gjatë uraganit. Ne po përgjigjemi në terren përmes partnerëve tanë nga Gjysmëhëna e Kuqe Libiane. Ekipet u vendosën menjëherë pasi uragani goditi pesë qytetet e prekura.”, - deklaroi përfaqësuesi i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Tamer Ramadan. 
 
“Ky është vullneti i Zotit dhe fati ynë. Kam humbur motrën time dhe vajzat e saj, Zoti i mëshiroftë të vdekurit dhe i ktheftë të humburit.", - tha një banor.
 
"Njerëzit janë të gjithë sirianë, palestinezë, libianë, egjiptianë, fëmijë, pleq e të rinj. Është shumë e vështirë, por në vendimin e Zotit nuk ka asnjë kundërshtim dhe Zoti i dhëntë durim gjithë popullit tonë.”, - tha një banor tjetër.
 
Ndihma kanë vërshuar edhe nga shtete të tjera të botës. Turqia është ndër vendet e para që ofroi ndihma humanitare.
 
"Turqia nuk do të largohet dhe do të qëndrojë me vëllezërit dhe motrat libianezë, duke ndihmuar me të gjitha mjetet e mundshme në këto ditë të vështira. Kreu i Ministrisë së Brendshme të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, ishte i autorizuar të konstatonte dhe të dorëzonte urgjentisht çdo gjë që nevojitet në ato vende, duke përfshirë ekipet e kërkim-shpëtimit dhe pajisje. Në fazën e parë, 3 aeroplanë mallrash me paketa ndihme mbërritën në Libi.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
“Ekipi i Kombeve të Bashkuara në terren në Libi po përgjigjet në vend. Për më tepër, ne po mobilizojmë burimet dhe ekipet e urgjencës për të mbështetur ata njerëz të prekur dhe po punojmë me lokalë, kombëtarë dhe partnerët ndërkombëtarë për të marrë ndihmën urgjente të nevojshme humanitare për njerëzit në zonat e prekura. Ne po koordinojmë me autoritetet libiane për të vlerësuar nevojat dhe për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës.", - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
 
Shumë spitale janë zhdukur nga stuhia, disa janë shkatërruar dhe një pjesë e vogël janë gjysmë funksionale. Nevoja për ndihmë mjekësore është emergjente, thonë nga OBSh-ja.
 
“Përmasa epike, nuk ka pasur një stuhi si kjo në rajon apo më shumë në kujtesën e gjallë, kështu që është një tronditje e madhe. Shi i rrëmbyeshëm në një zonë që prek të paktën 1,5 milion deri në 1,8 milion njerëz. Shumë spitale janë zhdukur dhe të tjerat janë shkatërruar, ndërsa ato që kanë mbetur janë gjysmë funksionale nga dëmtimet. Njerëzit kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.”, - theksoi zëdhënësja e OBSh-së, Margaret Harris.
 
Kjo është fatkeqësia më e madhe e regjistruar ndonjëherë në Libi.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU