Ministria e Drejtësisë ka përgatitur propozim-ligjin për amnisti

13.09.2023 17:22

Ministria e Drejtësisë së fundmi ka përgatitur propozim-ligjin për amnisti....

Ministria e Drejtësisë së fundmi ka përgatitur propozim-ligjin për amnisti, me të cilin bëhet i mundur lirimi dhe ulja e dënimit me burg për veprat penale të lehta.

Kjo nismë e Ministrisë së Drejtësisë pritet që të miratohet në seancën e ardhshme të Qeverisë, ndërsa ky propozim-ligj u dorëzua edhe deri te koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend, të cilët duhet t’i japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

Sipas prononcimit zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, qëllimi është që të bëhet i mundur lehtësimi i punës në institucionet ndëshkimore-korrektuese. Ligji për amnisti, si i tillë është përkrahur edhe nga Avokati i Popullit, Naser Zyberi, i cili pohon se zbatimi i masave tjera ndëshkuese për veprat e lehta ka treguar se kanë dhënë efektin e tyre dhe me këtë përmirësohet gjendja e burgjeve.

“Ne mendojmë se ideja që kryesit e veprave të lehta penale të përfshihen me këtë ligj është ide e mirë dhe zbatimi i metodave të ndryshme, për kryesit e veprave të lehta penale do të sjellë edhe përmirësimin e gjendjeve të burgjeve dhe ky mbipopullim i burgjeve po sjellë probleme tjera. Këto masa tjera ndëshkuese, përveç burgut, në vendet e zhvilluara ka treguar se kanë dhënë efektin e tyre dhe e ka ulë shtypjen mbi burgjet.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Zyberi.

Me ligjin propozohet që personat të cilët janë dënuar me dënim burg deri në gjashtë muaj, tërësisht të lirohen nga vuajtja e dënimit. Të dënuarit, të cilët janë dënuar me dënim burg mbi gjashtë muaj, lirohen nga vuajtja e 30% e dënimit total të shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë.

Kurse, amnistimi nuk vlen për personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm, për vepër penale vrasje, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit etj. (Fitim Kryeziu, TVM2)