Bekteshi: Nga java e ardhshme, ngrirje të çmimeve
Nga java e ardhshme do të ketë ngrirje të çmimeve....

Nga java e ardhshme do të ketë ngrirje të çmimeve, ka paralajmëruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Tha se do të ndalohet shitja e produkteve me çmime aksioni deri me 30 nëntor, ndërsa nga dita e hënë para se të miratohet masa të ketë zbritje lineare për 10 % të prodhimeve ushqimore, ka porositur ministri.
Për më datë 14 shtator paralajmëroi takim me pronarët e marketeve, tha se nuk do të lejohet përfitim mbi kurriz të qytetarëve. Përveç gjobave do të ketë edhe mbyllje të subjekteve juridike.
“Nga dita e hënë para se të vendosen masat për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, që të jenë jo më pak se 10% në mënyrë lineare për të gjitha produktet në Republikën e Maqedonisë. Kjo do të paraqitet si qëndrim i Ministrisë së Ekonomisë për supermarketet dhe sigurisht që do të përcillet të martën dhe seancën e parë të Qeverisë.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Inspektorati shtetëror i tregut nuk merr pjesë në formimin e çmimeve të prodhimeve, por shtrenjtimi është shumë i madh, vlerëson drejtori, Trajkovski.
“Nëse Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë miraton vendim për zvogëlimin e çmimeve. Inspektorati Shtetëror i Tregut do të veprojë te të gjitha subjektet pa kompromis si gjerë më tani. Inspektorati i tregut edhe më tej do të vazhdojë me kontrolle të shtuara në terren, me qëllim që të mbrojë standardin e qytetarëve.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.
Duke pasur parasysh lëvizjen e bursave botërore, nuk ka bazë për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë as nga ana e prodhuesve e as nga tregtarët, theksojnë kompetentët. Rrjeti i marketeve të mëdha nuk ka ulje të të ardhurave, por përkundrazi kanë shënuar rritje vitin e kaluar, ka nënvizuar Bekteshi. (Florije Kamberi, TVM2)
