Maqedoni

Pragë, OSBE-ja mban Forumin ekonomik dhe ekologjik, Osmani: Kërcënimet globale kërkojnë unitet politik

14.09.2023 14:31

Ndryshimet klimatike, qeverisja e mirë, lehtësimi i tregtisë dhe transportit...

Ndryshimet klimatike, qeverisja e mirë, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, si dhe sigurimi i ushqimit, ishin temat kryesore  në Forumin e dimensionit ekonomik dhe ekologjik të OSBE-së në Pragë. Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim, Bujar Osmani, kërkoi nga anëtarët që të bëhen bashkë  dhe të gjejnë vizion dhe mjete për t’u ballafaquar me sfidat aktuale.
 
“Ndryshimet klimatike janë sfida më urgjente të së sotmes dhe të së nesërmes. Globalizmi dhe ndërvarësia ekonomike kanë ndryshuar  përgjithmonë shoqëritë tona dhe sërish  krizat e mëdha  në vitet e fundit kanë treguar se sa të cenueshëm mund të jenë zinxhirët tanë të furnizimit dhe sa mund të ndikojnë në sigurinë.”, - deklaroi kryesuesi i  OSBE-së, Bujar Osmani. 
 
Osmani foli edhe për korrupsionin si kërcënim serioz, për çka bëri thirrje  për luftimin e kësaj dukurie të kamotshme. 
 
“Neve na duhet përcaktim i qartë, përpjekje të koordinuara  dhe vullnet politik për t’u përballur  me pasojat negative të korrupsionit. OSBE-ja ka mandat të fuqishëm  në këtë fushë tematike dhe ne do të vazhdojmë t’i fokusojmë përpjekjet e përbashkëta në nxitjen e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë, në domenin publik dhe privat.”, - theksoi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani. 
 
Në këtë kontekst, Osmani  paralajmëroi  konferencë rajonale në fund të tetorit dedikuar këtij fenomeni, duke vlerësuar se vendet anëtare të OSBE-së duhet detyrimisht  të sigurojnë jetë cilësore për njerëzit, e që sipas Osmanit edhe vet organizata është ndërtuar mbi shtyllat e mbrojtjes së qytetarëve të saj.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU