Maqedoni

Opozita shqiptare, Interpelancë për kryeprokurorin, Joveski

14.09.2023 14:49

Shtatë deputetët nga tre partitë opozitare shqiptare AAA-ja, BESA dhe LD-ja...

Shtatë deputetët nga tre partitë opozitare shqiptare AAA-ja, BESA dhe LD-ja kanë dorëzuar Interpelancë deri tek kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për punën e prokurorit publik, Ljubomir Joveski.
 
Në Interpelancë thuhet se që nga emërimi i Joveskit në pozitën e prokurorit të përgjithshëm, roli dhe kredibiliteti i këtij institucioni është vënë në pikëpyetje serioze, kurse kulminacioni, sipas tyre ishte rasti i djegies së Spitalit Modular në Tetovë, ku mbetën të vdekur 14 persona.
 
Kjo Interpelancë, sipas deputetes së Lëvizjes Demokratike, Merita Koxhaxhiku, ka për qëllim të ngrejë parlamentarët në debat publik, pretendimet e rënda se Prokurori Joveski ka fshehur fakte dhe informacione gjatë gjithë procedurës, për të mbrojtur siç thonë disa politikanë dhe pjestarë të elitës së biznesit.
 
“Prokuroria Publike ka fshehur fakte dhe informacione gjatë gjithë procedurës për të mbrojtur kështu disi politikën dhe pjestarët e elitës së biznesit. Prandaj, ne presim që kryetari i Kuvendit do ta respektojë rregulloren e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër është që ne të ballafaqohemi me argumentet me kryeprokurorin, Lubomir Joveski, se si ka ndodhur që të digjen 14 njerëz në spital, ndërsa përgjegjësi mos të kërkohet nga ndërmarrja që e ka ndërtuar Spitalin Modular, pastaj të shpjegojë se pse nuk është marrë parasysh raporti i forenzikës gjermane.”, - theksoi deputetja e Lëvizjes Demokratike, Merita Koxhaxhiku. 
 
Sipas deputetit të Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, këto janë akuza serioze, të cilat duhet shqyrtuar dhe hetuar në detaje, pasi bazohen në informacione tashme publike dhe raportimeve nga agjenci të pavarura informative.
 
“Në çdo raport të Komisionit Evropian ne kemi vërejtje për institucionet e drejtësisë dhe askush nuk mund t’i largohet përgjegjësisë për veprimet ose mosveprimet e tij. Prokurori Joveski është në detyrë dhe si i tillë duhet të bartë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e tija për rastin e Spitalit Modular në Tetovë. Mirëpo, ne e dimë se sistemi i drejtësisë ka shumë vërejtje, ka shumë probleme dhe nënkuptohet se çështja e debatit, do të jenë edhe çështjet të cilat lidhen me punën e prokurorit të përgjithshëm.”, - u shpreh deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli. 
 
Deputetët e nënshkruar në këtë interpelancë presin nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që ta procesojë atë në bazë të Rregullores së Kuvendit, përkatësisht në afat prej 15 ditëve, që nga dorëzimi i interpelancës, ta vendosë atë në rend të ditës në seancën e parë të ardhshme plenare.    
 
FITIM KRYEZIU