Maqedoni
Bekteshi takon pronarët e supermarketeve, do të ulen çmimet për rreth 50 produkte
14.09.2023 15:07
Nga java e ardhshme, çmimet për rreth 50 produkte ushqimore, do të ulen me 10 për qind...

Nga java e ardhshme, çmimet për rreth 50 produkte ushqimore, do të ulen me 10 për qind, informoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pas takimit me pronarët e supermarketeve më të mëdha në vend.
Vendimi është marrë, të martën do të jetë në seancën e Qeverisë. Bekteshi tha se është i vendosur se duhet respektuar masa, në të kundërtën do të ketë gjoba. Në terren do të forcohen kontrollet inspektuese, tregtarët që nuk respektojnë vendimin iu kërcënohet mbyllje e objektit.
“Kemi pasur një debat mjaft konstruktiv, diskutim të përbashkët me ta, ku bashkërisht jemi dakorduar se ka hapësirë për ulje të çmimeve dhe me vullnet të mirë dhe përgjegjësi shoqërore, këtë e pranuan edhe rrjetet e marketeve. Vendimi i Ministrisë së Ekonomisë do të miratohet në seancën e Qeverisë të martën dhe do të zbatohet në fushën e uljes së çmimeve të produkteve ushqimore në të gjitha rrjetet e supermarketeve.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Siç tha ai, çmimet e mbi 50 produkteve ushqimore bazë do të ulen minimalisht për 10 për qind, 90 për qind e të cilave taksohen me TVSh prej 5 për qind. Ministria e Ekonomisë gjatë javës së ardhshme do të bëjë ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Inspektoratin Shtetëror të Tregut, me të cilat do të shtohen kompetencat e inspektorëve të IShP-së në mënyrë që ata të veprojnë menjëherë dhe ta mbyllin objektin pa kaluar në gjykatë procedura të caktuara.
ERSAN PAJAZITI
