Skandali në Onkologji, Mexhiti hedh poshtë pretendimet e Klisarovskës

14.09.2023 17:15

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti...

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i hedh poshtë të gjitha pretendimet e drejtoreshës së Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Violeta Klisarovska, e cila dy ditë më parë tha se të gjitha keqpërdorimet e mundshme mund të kenë ardhur për shkak të mosfunksionimit të sistemit për një kohë të gjatë.

Ai pohon se para dy muajsh ka kërkuar llogari nga përgjegjësitë e sistemit për kontrollin e terapisë, ndërsa të njëjtit i kanë thënë se sistemi është funksional.

“Përpara se ky skandal të dalë në publik, unë që nga java e parë si ministër i Shëndetësisë, kam qenë në kontakt të vazhdueshëm më drejtuesit e klinikave, për t’u informuar rreth punës nëpër klinika. Para dy muajve i thirra përfaqësuesit e sistemit për kontrollin e terapisë dhe kërkova që të më arsyetojnë se pse ky sistem ka funksionuar vetëm për një kohë të shkurtër dhe duhej të analizojmë se përse sistemi nuk është funksional. Ata na shpjeguan që sistemi është në rregull, se ndiqet me mililitra si harxhohet ilaçi i përcaktuar.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Përkujtojmë se Klisarovska për TVM tha se “nuk ka servisim të duhur të sistemit. I njëjti nuk është i kyçur, pra I lidhur me sistemin ku mjekët i fusin të gjitha të dhënat për pacientët, duke përfshirë përshkrimin e dozës.”.

Sipas Klisarovskës, arsyeja e mosfunksionimit të sistemit ku shënohen terapitë mjekësore është mungesa financiare e spitalit.

“Për sistemin e kontrollit të barnave ne analizuam. Nga ish-drejtori i kësaj klinike na u tha që sistemi nuk është paguar, sepse kushton shumë, nuk e kuptoja saktë për çka bëhet fjalë dhe prandaj nga afër e ndoqëm situatën për të qenë të informuar saktë.  Atëherë ne ndamë një buxhet  deficitarë, dhe u konsultuam që ta lëmë sistemin e njëjtë në funksion apo të instalojmë ndonjë sistem tjetër  dhe se si këtë ta organizojmë. Me gëzoi mënyra se si u vendos nga 20 menaxherët, këtu mundësia është minimale që të gabohet ose të bëhet ndonjë lëshim. Tani, a mund të vidhet nga dikush ndonjë ilaç i veçantë? Përgjigja është PO, këtë mund ta bëjë secili që punon brenda.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Sipas Mexhitit, personat që kanë qenë të përfshirë në këtë skandal, do të dalin para drejtësisë dhe siguroi që prej në moment që është ministër i Shëndetësisë, nuk ka lejuar të bëhen lëshime të tilla. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)