Vuçiq: Bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit në Bruskel, përfunduan pa sukses. Vuçiq tha se nuk pati sukses në bisedime pasi Kurti i shmanget Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
"Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar. Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ikë nga detyrimet e saja.", - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas presidentit serb, ai ka pranuar propozimin e BE-së që fillimisht të shkohet me procesin kredibil të formimit të Asociacionit të komunave serbe e më pas Serbia të nisë me obligimet e saja, por kryeministri Kurti, atë e ka refuzuar.
Kurti dhe Vuçiq u takuan pas më shumë se katër muajsh të ngecjes së dialogut, ndërsa ata praraprakisht zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Deri tani nuk ka pasur prononcim nga kryeministri Kurti dhe ndërmjetësit, Borrell dhe Lajçak.
Por, Borrell pas takimeve të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, përmes një postimi në rrjetin social “X” ka thënë se është koha për fillim të zbatimit serioz të marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet dy vendeve.
