Propozim-ligji për amnisti, Ministria e Drejtësisë fton partitë në mbështetje

14.09.2023 17:44

Ministria e Drejtësisë në tentativë....

Ministria e Drejtësisë në tentativë për të çtensionuar situatën nëpër burgje si pasojë e mbingarkesës nga numri i lartë i të burgosurve.

Ky dikaster fton partitë politike që të mbështesin propozim ligjin e ri për amnesti pas disa kërkesave drejtuar grupeve paralmentare që të japin vlerësimin e tyre.

“Ministria e Drejtësisë disa herë ka kërkuar nga koordinatorët e grupeve parlamentare që të prononcohen në afat sa më të shkurtër për propozim-ligjin dhe të thonë vërejtjet dhe sugjerimet. Është njoftuar edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Njoftojmë se gjendja në burgje është alarmante.”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Mickoski: Do të shqyrtojmë ndryshimet

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, deklaroi se do të shqyrtojnë ndryshimet edhe përkundër paralajmërimeve për bllokime, që sipas kryeministrit janë të paargumentuara.

“Nuk  e kemi shqyrtuar ligjin për amnisti, po siç duket këta të facebook-ut krijuan shprehi që të propozojnë ligje edhe për amnistimin e kriminelëve dhe shumë pak mbajnë llogari për personat prapa grilave, të cilët reflektuan ndjenja patriotike.”, - deklaroi kryetari i VMRO- DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Kovaçevski: VMRO-ja bllokon pa argumente

“Bëhet fjalë për ligj që përmirëson dhe përshpejton procedurat, nuk amniston dikë që ka kryer vepër të rëndë penale, andaj edhe konsideroj se nuk duhet refuzuar përnjëherë, por duhet të hapet debat parlamentar. Ne si qeveri do ta shqyrtojmë ligjin në një nga seancat e radhës dhe pastaj nëpërmjet procedurës do t’i dorëzohet deputetëve për ta dhënë mendimin e tyre, megjithatë bllokim pa arsye, askush nuk ka dobi nga kjo.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Opozita shqiptare do të shprehet pasi të shohë ligjin

Opozita shqiptare pret nga Qeveria që ta dorëzojë ligjin dhe më pas të japin vlerësimin e tyre.

“Propozim-ligji për amnisti duhet të vijë nga Qeveria, është propozim i Qeverisë dhe nuk e shoh që është propozim partiak i dikujt që ne të bëjmë pazare partiake.”, - u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.

Rreth 250 të burgosur do të mund të lirohen nga dënimi me burg, nëse miratohen ndryshimet ligjore për amnisti të të dënuarve për vepra të lehta, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Në burgjet e Maqedonisë, aktualisht po vuajnë dënimin 2 mijë e 345 persona, pjesa më e madhe e tyre në burgun e Idrizovës. (Meral Ismaili, TVM2)