Debat kundër lajmeve të rreme, 70% të qytetarëve u besojnë dezinformatave
Dezinformatat e cenojnë besimin e mediave...

Dezinformatat e cenojnë besimin e mediave dhe lëkundin themelet e demokracisë. Ky është konstatimi i pjesëmarrësve në debatin kushtuar demokracisë në rrezik “Ballafaqimi me dezinformim, si rrezik për procesin zgjedhor”.
Kryetari i ShGM-së, Mladen Çadikovski, thotë se gjithnjë e më shumë vërehet kjo tendencë manipuluese që rrënon besimin e qytetarëve tek mediat në vend. Duhet rreshtuar të gjithë mbrapa luftës kundër kësaj dukurie negative, e cila ka kapluar gjithë botën, thonë ata.
“Kur ka zgjedhje në vend apo kur i përafrohemi periudhës parazgjedhore, siç jemi edhe tani, dezinformimet bëhen edhe më të theksuara dhe ne veç më i ndjejmë këto tendenca. Të gjithë që jemi këtu mundemi ta njohim këtë, por kjo nuk është e mjaftueshme, por më rëndësi është që këtë gjë ta transmetojmë tek publiku. Vetëm në këtë mënyrë do të mundemi të përafrohemi me publikun dhe të japim kontributin tonë në luftën kundër dezinformatave.”, - deklaroi kryetari i ShGM-së, Mladen Çadikovski.
Kjo dukuri negative me lajmet e rreme vërehet edhe nga UNDP-i, përfaqësues të së cilës, thonë se rreth 70 për qind të qytetarëve në vendin tonë janë më të prirur t’u besojnë lajmeve të rreme dhe nuk kanë shprehi t’i verifikojnë burimet e informacionit.
“Ndikimi negativ i informacioneve të rreme nuk njeh dhe nuk ka kufi. Ato i prekin të gjithë, pavarësisht se ku jetojmë apo çfarë bëjmë. Ato minojnë besimin, cenojnë themelet e demokracisë dhe pengojnë përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në shoqëri. Sipas Indeksit të fundit të arsimimit mediatik, 70 për qind prej njerëzve në Maqedoninë e Veriut janë në rrezik t’u besojnë informacioneve të rreme, pa i kontrolluar ato. Ndërsa në Finlandë ky fenomen është në 10 për qind. Andaj themi se është e nevojshme të kyçen dhe bashkohen të gjithë faktorët socialë në luftën kundër dezinformimit.”, - theksoi Armen Grigorijan nga UNDP-i.
Për këtë arsye, UNDP-i fillon me zbatimin e projektit më të ri për parandalimin dhe luftën kundër dezinformatave, përmes krijimit të një plaltforme rajonale, të cilët synojnë përforcimin e kapaciteteve të njësive lokale, rritjen e arsimimit mediatik dhe integritetit dhe rritja e vetëdijes kolektive për dezinformatat gjinore. (Rexhep Qamili, TVM2)
