Megaoperacion antidrogë, u shkatërruan 23 grupe kriminale
23 grupe kriminale u shkatërruan në një megaoperacion...

23 grupe kriminale u shkatërruan në një megaoperacion të zhvilluar në Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan kundër shpërndarësve të drogës në shkolla e lokale. Drejtori i përgjithshëm i policisë tha se trafikantët kishin helmuar tempullin e dijes, duke shitur droga për nxënësit e shkollave. Aksioni, sipas kryeministrit Edi Rama, angazhoi 3 mijë policë nga Sektori i Antidrogës, Forcat Operacionale, FNSh-ja e RENEA.
“Janë miratuar 296 masa sigurie, 356 vendime për kontroll banesash dhe ambientesh të tjera, ekzekutuar 214 masa sigurie, arrestuar ne flagrancë, gjatë kontrolleve, 19 shtetas, shpallur në kërkim 82 shtetas. Pjesa më e madhe e shtetasve të arrestuar janë pjesë e 23 grupeve kriminale.”, - theksoi drejtori (Policia e Shtetit), Muhamet Rrumbullaku.
Gjatë këtij megaoperacioni janë sekuestruar prova të shumta materiale, mes të cilave kokainë, heroinë dhe kanabis, armë dhe para.
“Lëndë narkotike, kokainë, heroinë dhe cannabis sativa; armë zjarri dhe armë të ftohta; automjete, celularë, vlera monetare dhe mjete të ndryshme që shërbenin për peshimin, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.”, - u shpreh drejtori (Policia e Shtetit), Muhamet Rrumbullaku.
Mes të arrestuarve është edhe efektivi i policisë, Saimir Hysa, i cili është vënë në pranga nën akuzë për shpërdorim detyre e përkrahje e autorit të krimit. Për herë të parë në Shqipëri gjatë këtij aksioni u zbulua një drogë e re xhelatinoze, e cila vinte nga Kanadaja. (Luljeta Ndoka, TVM2)
