Maqedoni

Pse duhet të integrohemi në BE? Te vendet e BE-së, 15% deri në 20% ka rritje të BPV-së

15.09.2023 15:38

Anëtarësimi i vendit tonë tani në BE nuk është vetëm përfitim financiar...

Anëtarësimi i vendit tonë tani në BE nuk është vetëm përfitim financiar, por këtu përfshinë edhe aspektin e sigurisë, gjeo-politik dhe aspektin e solidarizimit, këto ishin porosit të cilat u dhanë në Forumin e tretë ekonomiko-financiar të Shkupit (SEFF), me temë "Evropa - PO, Evropa - TANI", organizuar nga Ministria e Financave.
 
Për nikoqirin e kësaj ngjarjeje, ministrin e Financave, Fatmir Besimi, “gjithçka varet nga vet ne, se kur do t’i kalojmë sfidat e brendshme dhe ta fillojmë integrimin tonë edhe politik, por edhe financiare në Bashkimin Evropian.”. Sipas tij, si kurrë më parë, Evropa po përballet dhe është e përkushtuar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në një kohë relativisht të shkurtër, vendet e rajonit kanë mundësinë të intensifikojnë reformat institucionale dhe strukturore dhe të forcojnë konkurrencën në tregun global. 
 
“Nëse analizohet se përse ne duhet të jemi të integruar në BE, tregojnë faktet se tek vendet e reja të anëtarësuara në BE, rritja e Bruto Prodhimit Vendor ka shënuar rritje për 15 deri më 20 për qind për kokë banori. Analizat kanë treguar se integrimi hap vende të reja të punës dhe paga më të larta.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
Për kryeministrin e vendit, Dimitar Kovaçevski, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është reciprokisht i dobishëm për të dyja palët, por dobinë më të madhe do ta kenë qytetarët, sepse anëtarësimi nënkupton paga më të larta, vende të reja të punës, investime të huaja. 
 
“Në 5 vitet e para, kjo do të thotë rritje pagash nga 70 në 100 për qind, rritje të PBB-së nga 80 në 90%, rritje të numrit të vendeve të punës, rritje 30% deri në 40% të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski. 
 
Edhe komisionari i BE-së, Johannes Hahn, në fjalimin e tij theksoi se RMV-ja duhet të shfrytëzojë momentumin pozitiv për integrim evropian, si dhe se Bashkimi Evropian, përveç përfitimeve ekonomike, sjell edhe shumë kushte të tjera më të mira për qytetarët si kushtet e shtetit ligjor, të drejtat e qytetarëve dhe ndjenja e bashkimit dhe unitetit.
 
“Ju jeni i rëndësishëm për familjen evropiane. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të përshpejtuar procesin. Le të kapim momentin së bashku. Besoj se Republika e Maqedonisë së Veriut mund të jetë anëtarja e 28-të e BE-së. Punoni së bashku, të gjitha opsionet politike në vend, si një ekip, për të arritur atje.”, - u shpreh komisionari i BE-së, Johannes Hahn.
 
Sipas kryeministrit, Kovaçevski, dhe ministrit, Besimi, orientimi i Qeverisë ka sjellë rezultate dhe për krahasim përmendën anëtarësimin e RMV-së në NATO, ku vendi ynë ka mundësuar një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në vend, i cili hapi mundësinë që investitorët ta njohin vendin tonë si një portë të rëndësishme për në tregun evropian.
 
Kurse shkalla e papunësisë, në krahasim nga viti 2016, kur ishte pothuajse 24%, tani ka rënë në 14%. Në vetëm një vit është rritur punësimi me 9.5% në vend. 
 
FITIM KRYEZIU