Maqedoni
Shoqata e juristëve të rinj, ndryshimet e Kodit Penal rrisin korrupsionin
15.09.2023 16:07
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, me të cilat mes tjerash zvogëlohen...

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, me të cilat mes tjerash zvogëlohen dënimet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, do të kontribuojnë në rritjen e krimit dhe korrupsionit, si dhe rrezikojnë parimet e sundimit të së drejtës dhe shtetit juridik.
Kështu vlerësojnë nga Shoqata e juristëve të rinj, sipas të cilëve këto ndryshime do të ndikojnë edhe në vuajtjen e dënimeve me burg. Ndryshimet e Kodit Penal përfshijnë 38 nene, për 35 nene pushteti ka deklaruar se janë miratuar, me qëllim harmonizimin e legjislaturës vendore me atë të BE-së.
“Nuk mundëm ta gjejmë se përse bëhen këto ndryshime. Në arsyetim është thënë se bëhet fjalë për çështje urgjente, por për masa të tilla urgjente nuk kishim asnjë informatë paraprakisht. Para disa ditëve dëgjuam se këto ndryshime janë në pajtueshmëri me legjislativen e Sllovenisë dhe Kroacisë. Atje janë dënimet më të larta, sa i përket nenit 353, për keqpërdorim të autorizimeve zyrtare. Në Slloveni është 8 vite dënimi me burg, në Kroaci është 12, tek ne do të jetë 5.”, - deklaroi Aleksandra Cvetanovska nga Shoqata e juristëve të rinj.
Nëse Ligjvënësi ka pasur për qëllim të vendosë theksin në konfiskimin e zgjeruar, atë ka mundur ta bëjë pa zvogëlimin e dënimeve të parapara.
“Aspak nuk duhet të ketë ndikim dhe nuk ndikon lartësia e dënimeve me burg, sa i përket konfiskimit të zgjeruar, njëra me tjetrën nuk kanë lidhshmëri dhe prandaj vlerësojmë se nuk ishte e nevojshme të zvogëlohet dënimi dhe të rritet mosndëshkueshmëria.”, - theksoi Aleksandra Cvetanovska nga Shoqata e juristëve të rinj.
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal nxitën reagimin e shumë ekspertëve dhe shoqatave joqeveritare që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë, të cilët shprehën shqetësimin se përse nuk janë konsultuar para se të futen në procedurë dhe votohen këto ndryshime. Nuk janë konsultuar as Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese.
FLORIJE KAMBERI
