Maqedoni
Komisioni për sistem politik, Komisioni anketues për skandalin në Onkologji
15.09.2023 16:29
Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive ngrit iniciativë...

Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive ngrit iniciativë për themelimin e Komisionit anketues për vërtetimin e përgjegjësisë për skandalin në Klinikën e Onkologjisë. U propozua që komisioni të ketë 13 anëtarë, me shumicë nga pushteti, por e kryesuar nga opozita.
Deputetët e opozitës konsiderojnë se rasti duhet ndriçuar duke kërkuar llogari nga ministri aktual, Fatmir Mexhiti. Nuk munguan kundër replikat nga deputetë të shumicës, të cilët thonë se rasti nuk duhet politizuar, ndërkohë që hetimi duhet shtrirë shumë vite më herët, nga gjeneza e skandalit.
“Një ministri që do t’i ndodh një gjë e tillë gjatë mandatit të tij, në të njëjtin moment dorëzon dorëheqje, jo se ai është fajtor, por pasi që ai është në krye të ministrisë.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova.
“Ju keni të drejtë, por jeni vonë, jeni shumë vonë, sepse nuk ka ndodhur rasti tani. Rasti ka ndodhur, ju e citoni vitin 2016-të, por a jeni ju ajo që dilni këtu dhe të siguroni që nuk ka ndodhur dhe më herët? D.m.th. është dashur shumë më herët, shumë vite më përpara kur janë paraqitur shenjat e para të kësaj çështjeje çnjerëzore, ministrat të kishin dhënë dorëheqje. Ju kërkoni dorëheqje të ministrit, i cili i hap rrugë hetimit. Unë ngre dilemën e madhe, ju a jeni për hetim apo jeni përsëri për fshehje dhe zhagitje të rastit?!”, - theksoi deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Sipas deputetëve të LSDM-së, fajtorët kanë identitet dhe rasti duhet të ketë zgjidhje transparente.
“Iniciativa e parë e dorëzuar nga Prokuroria ka qenë në vitin 2013-të dhe kjo ka ndodhur me vite, andaj të bëjmë trysni ndaj institucioneve që të përfundojnë punën ashtu siç duhet. Apeloj, të gjithë ata që duan të fitojnë pika politike në kurriz të këtij shembulli të keq në Onkologji, të ndalojnë dhe bashkë të veprojmë.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Procedura për formimin e Komisionit anketues do të kalojë në seancë plenare dhe komisioni duhet të vërtetojë përgjegjësinë ndaj personave që kanë keqpërdorur dhe tregtuar terapitë për kancer në Onkologji, në llogari të jetëve të njerëzve.
MERAL ISMAILI
