Klinika e Kardiokirurgjisë, me sukses vendosin stendë në harkun e aortës

15.09.2023 16:50

Kardiokirurgjia Shtetërore në Shkup....

Kardiokirurgjia Shtetërore në Shkup është e para në rajon që realizoi metodën e vendosjes së stendit në harkun e aortës, i cili do të mundësojë trajtimin e pacientëve në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe për të cilët ekziston rreziku i vdekshmërisë gjatë operacionit, njoftuan sot nga Reparti i Klinikës së Kardiokirurgjisë.

Ata me sukses kanë vendosur stendë në harkun e aortës te një pacient me aneurizëm në harkun e aortës. Mjeku, Nikolla Lazovski, thotë se pacienti tashmë 4 ditë është lëshuar në shtëpi dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Kjo metodë përdoret për pacientët që operohen dhe janë në rrezik, gjegjësisht ne konstatojmë që ata nuk janë të prirur të përballojnë operacionin kirurgjikal dhe prandaj tek njëri nga ata pacientë që konstatuam rrezik të lartë, vendosëm stendë në harkun e aortës. Pacienti tani është në mjekim shtëpiak, ishte veç më në 2 kontrolle për të gjitha parametrat, bëri tomografinë kompjuterike, parametrat laboratorike. Ecuria klinike e tij doli mjaft pozitive.”, - deklaroi mjeku, Nikolla Lazovski.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Dr. Marjan Shokarovski, paralajmëroi zgjerimin e kapaciteteve dhe aktiviteteve të Kardiokirurgjisë Shtetërore me repart të ri, specifik për insuficiencë kardiake, i cili do të përmirësonte kushtet për trajtimin e pacientëve me sëmundje të rënda kardiovaskulare.

“Bëmë zgjerimin e aktivitetit të klinikës me një repart të ri, specifikisht për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, gjegjësisht infarkteve.  Trajtimi i këtyre pacientëve duhet të fillojë në fazën fillestare të kapjes së problemit, që të jenë në ndjekje të vazhdueshme dhe të marrin trajtimin e nevojshëm.” - theksoi drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Dr. Marjan Shokarovski.

Sëmundjet kardiovaskulare do të mbeten një problem serioz shëndetësor edhe për vitet në vazhdim. Sëmundjet kardiovaskulare konsiderohen ndër shkaktarët e parë të vdekjeve. (Fitore Demolli, TVM2)