Libi, zyrtarisht 11,300 viktima nga vërshimet në Dernë
Bilanci i jetëve të humbura nga vërshimet në qytetin libanez të Dernës....

Bilanci i jetëve të humbura nga vërshimet në qytetin libanez të Dernës është rritur në 11,300 viktima. Shifra u raportua nga Gjysmëhëna e Kuqe e Libisë, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq tha se gati 10 mijë njerëz janë të zhdukur në qytetin bregdetar të Mesdheut.
Kryebashkiaku i Dernës ka folur edhe për një bilanc shumë më tragjik, pasi sipas tij, numri i të vdekurve në qytet mund të arrijë në 20 mijë njerëz duke marrë parasysh lagjet e tëra nën ujë. Stuhia “Daniel” u ka marrë jetën edhe 170 personave të tjerë në zona të ndryshme të Libisë.
Ekipet shpëtimtare vazhdojnë me shpresën që mund të gjejnë të mbijetuar mes baltës dhe rrënojave të mbetura. Përmasat e katastrofës janë shokante, kanë vlerësuar Kombet e Bashkuara, prej ku theksojnë se lagje të tëra janë shkatërruar, mijëra njerëz kanë vdekur, derisa një numër i madh janë pa kulm mbi kokë.
Numri i lartë i trupave të dekompozuar nën rrënoja në qytetin e Dernas ka ngritur shqetësime për rrezikun e sëmundjeve për të mbijetuarit. Komuniteti ndërkombëtar ka përshpejtuar përpjekjet për të siguruar ndihma.
Zyra për koordinimin e çështjeve humanitare në OKB, bëri thirrje për grumbullimin e mbi 71 milion dollarëve për të adresuar nevojat urgjente të qytetarëve të prekur. Ndërkohë, më shumë se 3 mijë trupa u varrosën të enjten në varre masive jashtë Dernës, me ndihmën edhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili po shpërndan mijëra qese për kufomat “që të vdekurit të trajtohen me dinjitet”. “Apelojmë autoritetet në komunitetet e prekura nga tragjedia të mos nxitojnë me varret masive apo me djegiet në masë nëpër krematoriume,” apeloi të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë. (Sedat Selimi, TVM2)
