Maqedoni

Kumanovë, vërehet ulje e numrit të nxënëve në klasat e para

16.09.2023 17:44

Në qytetin e Kumanovës, viteve të fundit gjithnjë e më tepër po vërehet ulje e dukshme e numrit të nxënësve...

Në qytetin e Kumanovës, viteve të fundit gjithnjë e më tepër po vërehet ulje e dukshme e numrit të nxënësve që po regjistrohen për herë të parë në shkollat fillore, kjo si pasojë e migrimit por edhe ulja e natalitetit. Ekipi ynë vizitoi një nga shkollat më të mëdha për nga numri i nxënësve në qytetin e Kumanovës, shkollën fillore “Naim Frashëri”, ku nga drejtori i kësaj shkolle u njoftuam se çdo vit që vie vërehet numër gjihthnjë më i ulët i nxënësve që për herë të parë regjistrohen në këtë institucion arsimor.                      
 
“Sikurse në gjitha shkollat tjera, edhe në Sh.F “Naim Frashëri” në Kumanovë, si dukuri apo problem është paraqitur zvogëlimi i numrit të nxënësve, pra kjo dukuri shfaqet edhe tek ne, mirëpo për fat të mirë kemi numër të vogël për dallim nga viti i kaluar. Këtë vit shkollor tek klasat e para kemi të regjistruar gjithësej 108 nxënës, vitin e kaluar kishim 8 më tepër. Na gëzon fakti se nuk është një dallim i madh, por jemi të shqetësuar dhe indinjuar sepse vazhdimisht numri po shkon duke u zvogëluar numri i nxënësve.”, tha drejtori i Sh.F “Naim Frashëri”, Muhamet Zeqiri.
          
Siç na njoftoi drejtori i Sh.F “Naim Frashëri”, Muhamet Zeqiri, si personel shkollorë janë përkujdesur për çdo gjë, me qëllim që viti i ri shkollorë të fillojë pa pengesa, duke filluar nga mjetet didaktike e deri edhe te infrastruktura e objektit shkollor, por problem i vetëm mbetet furnizimi me tekstet shkollore.
 
“Si problem kyç e kemi furnizimin me tekste shkollore, dua të potencoj se klasat e para, të dyta, të katërtat dhe të pestat pothuaj se 90% të teksteve shkollore janë të siguruara, problem paksa më I theksuar janë klasat e treta dhe klasat e gjashta, me preteks se me konceptin e ri nga ky vit fillohet me klasat e treta dhe ato të gjashtat, çka dmth se kemi qenë në koordinim me MASH, tekstet janë në përgatitje mirëpo në çdo moment pritet të funizohen edhe shkollat, konkretisht edhe ne.”, tha Zeqiri.
 
Ndryshe, shkolla fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë, vitin shkollorë 2023/24 e filloi me gjithësej 1.158 nxënës të shpërndarë në 55 paralele.
 
FATLUM AQIFI