Maqedoni
VMRO-DPMNE: Qeveria është e zhytur në korrupsion
17.09.2023 15:24
Partitë politike vazhdojnë me akuzat ndaj njëra tjetrës....

Partitë politike vazhdojnë me akuzat ndaj njëra tjetrës. VMRO-DPMNE përsëri ka kërkuar llogari nga qeveria se si është e mundur që tenderë në vlerë prej 40 miliona eurove të fitojë një kompani që menaxhohet me një person të afërt me kryeministrin Kovaçevski. Sipas tyre, kjo flet qartë se pushteti është i zhytur në krim dhe korupsion.
“Qeveria Kovaçevski këtë vit nënshkruan kontratën e dytë prej 25 milionë eurosh, me një kompani ku anëtari i parë i bordit të drejtorëve është kolegu i kryeministrit dhe njëkohësisht konsull i një shteti të huaj. Kjo marrëveshje është për licencat e programeve kompjuterike dhe duhet të garantojë sigurinë kibernetike. Maqedonia këto tri vite është vërshuar me informacione për sulme kibernetike, Maqedonia ka qenë dëshmitare e sistemeve jofunksionale në administratë. Ministritë, komunat janë sulmuar, me muaj arsimi ka qenë nën kërcënimin e bombave nëpër shkolla dhe kjo ka mbetur e pazgjidhur.”, tha Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Anëtarësimi në BE sjell përfitime ekonomike
Por nga LSDM reagojnë duke thënë që Stoilkovski në vend se të bëjë manipulime, t'i përgjigjet opinionit se kush është drejtori i selisë së VMRO-DPMNE-së që pranon tenderë nga komunat e menaxhuara nga VMRO-DPMNE në vlerë prej 18.5 milionë euro. Nga partia në pushtet thonë se Stoilkovki duhet të jep shpjegim se si VMRO-DPMNE në komunat që menaxhohen nga kuadrot e tyre, shpërndan tenderë personave të afërt me Mickoskin. Social-demokratët ndërkohë kanë vazhduar tu bëjnë thirrje deputetëve që të angazhohen për integrim në BE, sepse kjo do të sjell shumë përfitime ekonomike për vendin dhe qytetarët.
“Pagat në vitet e para të vendeve anëtare të BE-së rriten për 70-100 përqind. Ka edhe fonde të mëdha financiare. Pas anëtarësimit në BE, Kroacia ka marrë 12 miliardë euro nga buxheti evropian. Prandaj ne po luftojmë për anëtarësim në BE, për akses në fonde, për rritje ekonomike, për punë të reja dhe të paguara mirë, për paga dhe pensione më të larta evropiane. Opsioni tjetër është izolim, 11 vite të tjera stagnim dhe ngecje ekonomike, siç kishim në kohën e DPMNE-së.”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Vota për ndryshimet kushtetuese është votë që vendi të jetë ekonomikisht krah për krah me vendet më të zhvilluara.
ERSAN PAJAZITI
