Maqedoni
Integrimi, Osmani: Ndryshimet kushtetuese të patjetërsueshme
17.09.2023 17:33
Ndryshimet kushtetuese janë të patjetërsueshme pasi do të zh’bllokojnë rrugën drejt BE-së...

Ndryshimet kushtetuese janë të patjetërsueshme pasi do të zh’bllokojnë rrugën drejt BE-së dhe për këtë nevojitet unitet i partive politike deklaron ministri i jashtëm Bujar Osmani, i cili fton partitë ta thonë publikisht se mbështesin procesin integrues. Osmani, në intervistën për Frontllajn thotë se Rusia nuk është alternativë e BE-së.
“Të gjitha partitë politike që deklarohen për Bashkimin Europian, të jenë pjesë e Frontit Europian. Të tjerët të krijojnë frontin e tyre dhe të dalim para qytetarëve dhe ata të zgjedhin se a duan BE-në apo koalicionin i cili së fundmi u takua në Rusi. A keni parë dikë të shkojë të punojë apo shkollohet në Rusi? Shkojnë në BE sepse ne jemi një sistem i njëjtë i vlerave, në aspektin gjeografik, kulturor, ekonomik dhe historik ne i takojmë kësaj familje të vlerave të BE-së.”, tha ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani.
Sipas ministrit Osmani me lënien pas dore të ndryshimeve kushtetuese, vendi kthehet mbrapa, por që përjashton destabilizimin eventual të shtetit. Sa i takon formimit të frontit europian, Osmani tha se janë të hapur për të gjitha partitë.
“Kuptohet se në nivel të partisë politike po punojmë për momentin me partitë politike shqiptare, të cilat angazhohen për Bashkimin Evropian, për krijimin e atij fronti, ndërsa kuptohet me afrimin e zgjedhjeve, atëherë do të zgjerohet ose eventualisht do të bisedohet edhe me parti të tjera.”, tha Osmani.
Osmani nuk përjashtoi mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale blloku proveropian të kandidojë një figurë të përbashkët për president shteti, sikurse ishte përvoja me presidentin aktual Stevo Pendarovski.
MERALE ISMAILI
