Maqedoni
Tetovë, dy zjarre aktive, shuhet zjarri në Debërc
18.09.2023 13:56
Pas një jave luftë me zjarrin në deponinë e fshatit Debërc në Komunën e Zhelinës...

Pas një jave luftë me zjarrin në deponinë e fshatit Debërc në Komunën e Zhelinës, u arrit që zjarri të shuhet falë angazhimi të një kompanie nga jashtë. Nga Komuna e Zhelinës thonë se edhe pse nuk kanë fakte, ndezja është bërë nga dora e njeriut dhe presin që institucionet ta zbardhin rastin. Ata më tej shtojnë se deponia do të largohet nga aty, dhe se në Komunën e Zhelinës nuk do të ketë deponi.
“Ne si komunë, çdo ditë jemi munduar ta shuajmë këtë zjarr po aq kanë qenë mundësitë. Dje nga ora 6:30 e mëngjesit deri ne 18:00 në mbrëmje, zjarri është shuar tërësisht dhe nuk kundërmon erë e keqe. Për hir të së vërtetës, ne nuk kemi informacion, por ka indikacion dhe ka fjalë që është ndezur nga dora e njeriut. Tendenca jonë dhe vendosmëria jonë është që pas shuarjes së zjarrit të marrim masa për pastrimin total të kësaj deponie dhe dislokimin e saj dhe në Komunën e Zhelinës, ju garantojmë se nuk do të ketë deponi tjetër.”, - deklaroi Jasin Durmishi nga Komuna e Zhelinës.
Por, lufta me zjarrin vazhdon në të dy deponitë në Tetovë, thotë komandanti i NJTKZ, Avni Ameti. Ameti thotë se vetëm gjatë 24 orëve ka pasur 20 zjarre aktive në Tetovë.
“Nga mbrëmë kemi edhe dy deponi të ndezur, siç edhe e ndjeni Ju, në Qytetin e Tetovës ka aromë të keqe, pasi kemi dy deponi, njëra është në rrugën për në fshatin Sellcë dhe tjetra për në fshatin Xhermë dhe janë deponi të mëdha. Ne bëjmë përpjekjet tona, besoni se zjarrfikësit e Tetovës kanë pasur brenda 24 orëve 20 zjarre,që nuk ka ndodhur deri tani në njësitin tonë. Është një katastrofë e madhe që ndodh, apelojmë që qytetarët të jenë të kujdesshëm me ndezjen e deponive ose arrave gjatë pastrimit të tyre.”, - theksoi komandanti i NJTKZ-Tetovë, Avni Ameti.
Përndryshe, zjarrfikësit në vendit tonë po përballen me mungesa të shumta të automjeteve dhe pajisjeve të reja dhe speciale për shuarje të zjarreve, thotë Ameti. Sipas tij, shteti duhet të investojë dhe të hapë pika të njësive të reja të zjarrfikësve edhe në komunat rurale, me qëllim që zjarrfikësit të jenë më afër qytetarëve.
VISAR SADIKI
