Botë
Kurti: Lajçak u pozicionua qartë kundër Kosovës
18.09.2023 14:19
Në takimin e fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel...

Në takimin e fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit, Miroslav Lajçak, kundër Kosovës. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve në Prishtinë, duke shtuar se ai në atë takim është ekspozuar “përballë një skenari” të dizajnuar kohë më parë nga Lajçak. Ndërmjetësi evropian, ashtu si edhe presidenti serb kanë refuzuar planin e sekuencimit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, të propozuar nga Kurti.
“Presidenti i Serbisë dhe Mirosllav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë se ky plan është shumë jorealist dhe rrjedhimisht e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pasekuencuar i pikës së negocimit të statutit të një Asociacioni të komunave. E shtrova pyetjen se cila pikë, sipas tyre, e këtij propozimi të sekunecimit nuk është parashikuar në marrëveshjen bazike? Nuk mora asnjë përgjigje, për shkak të një fakti të thjeshtë, çdo pikë e planit tim të propozuar aty, buronte në mënyrë eksplicite nga shkronja e secilit nen të marrëveshjes bazike.”, - deklaroi kryeministri I RKS-së, Albin Kurti.
Kurti: Nuk mund t’i zbatojmë vetëm ato që do Serbia
Kurti tha se pozicionimi i ndërmjetësit ishte qartë kundër Kosovës, pasi dokumenti i ofruar nga Lajçak ishte refuzuar që më 19 korrik nga kryenegociatori, Bislimi. Por, Kurti ishte i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se nuk mund t’i zbatojnë vetëm ato që do Serbia.
“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilën jemi, vlerësoj se nuk mund të shtrembërohen në gjykimin tim me asnjë hedhje të hirit syve. Ose do ta zbatojmë Marrëveshjen bazike, në tërësinë e saj ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i do Serbia.”, - theksoi kryeministri i RKS-së Albin Kurti.
Kurti tha se lidhur me zhvillimet në takimin e 14 shkurtit në Bruksel, përkatësisht deformimin e procesit të dialogut nga ana e emisarit Lajçak, u ka dërguar letër sqaruese kancelarit gjerman, Olaf Sholz, presidentit francez Emanuel Makron, kryeministres së Italisë Xhorxhia Meloni dhe sekretarit të ShBA-së, Antoni Blinken. Parisi dhe Berlini kanë konfirmim se i kanë pranuar këto letra.
GYLTENE SINANI
